Ditën e sotme qeveria bëri publike rezultatet e Këshillimit Kombëtar. Në Kryeministri u zhvillua një konferencë për shtyp nga kreu i qeverisë Edi Rama. Në këtë konferencë Rama ishte bashkë me Drejtoren e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridana Cano. 563.195 qytetarë u janë përgjigjur 12 pyetjeve me tre alternative. 2% e pyetësorëve kanë rezultuar të pavlefshëm.
Qeveria miratoi më 24 Dhjetor të vitit të kaluar (2021) vendimin për nisjen e projektit Këshillimi Kombëtar. Qëllimi ishte për t’u këshilluar me shqiptarët përpara hartimit të nismave ligjore që përfshijnë një gamë të gjere çështjesh që nisin nga integrimi në BE e deri nëse duhet të legalizohet hashashi.
Nisma nisi në Janar të këtij viti (2022) ku qytetarët u pyetën përmes një formulari, të cilin qeveria ka premtuar se çdo vit do të përmbajë pyetje të ndryshme. Procesi i Këshillimi Kombëtar u mbyll më 31 Mars dhe në të kanë marrë pjesë mbi gjysmë milioni njerëz. Formulari i Këshillimit Kombëtar iu shpërnda njerëzve në disa forma, online, në tenda, dhe me postë.