Kryeministri Edi Rama ditën e sotme prezantoi rezultatet e këshillimit kombëtar. 563.195 qytetarë u janë përgjigjur 12 pyetjeve me tre alternative. Një nga pyetjet ishte nëse Shqipëria duhet të kërkojë që të ndahet nga Maqedonia e Veriut për procesin e integrimit.
67% qytetarëve janë shprehur se Shqipëria nuk duhet të presë heqjen e vetos bullgare për Maqedoninë por të vazhdojë e vetme rrugën e integrimit dhe jo në bllok.
“Kursi ynë do të ndryshojë plotësisht. Ne do të kërkojmë ndarjen nga Maqedonia, do ta bëjmë në cdo instancë, në cdo qeveri të BE-së, me Brukselin me të gjithë. Nuk mund të presim të zgjidhin një sherr mes tyre dy fqinj, me të cilët ne nuk kemi asnjë problem, për t’u ulur në tryezën e konferencës” tha Rama.
Një tjetër pyetje ishte për Ballkanin e Hapur, nëse është e dobishme për Shqipërinë? Sipas qeverisë 59% janë pro nismës së Ballkanit të Hapur.
“Ballkani i Hapur është i interes i Shqipërisë, edhe i Kosovës, por unë jam udhëheqës i Shqipërisë dhe jo Kosovës dhe nuk duhet t’u jap mend dhe këshilla të pakërkuara udhëheqësve në Kosovës. Është në interesin e Shqipërisë të zgjerojë hapësirën e vet të lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve” tha Rama.





















