Nga Alket Veliu
Ministri i Jashtëm, Nikos Dendias, këtë të enjte është shprehur se Greqia do të kërkojë hetimin e krimeve të luftës në Mariupol nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.
Mediat vendase bëjnë me dije se ministri, në fjalën e tij në Samitin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s, ka thënë se Greqia ka një interes të veçantë për Mariupolin, për shkak të komunitetit grek prej mbi 100,000 banorësh atje.
Krimet e luftës meritojnë ndëshkimin më të rëndë. Është e drejta e Greqisë të kërkojë shpagim nga drejtësia ndërkombëtare. Por është rasti t’i kujtojmë Athinës zyrtare se drejtësia nuk duhet kundruar si një e drejtë ekskluzive që u takon vetëm grekëve. Greqia historikisht ka dështuar në zgjidhjen e problemeve me fqinjët, pasi ajo ka këmbëngulur në “drejtësinë” e saj, edhe kur nga vetë shteti grek është ushtruar gjenocid mbi popullsi të pafajshme etnike, siç ka ndodhur me popullsinë çame.
Athina zyrtare në çdo rast ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të organizmave ndërkombëtare që kanë kërkuar negociata mbi problemet mes dy vendeve. Kujtoni vitin 2016 kur Greqia, edhe pas kërkesës së Komisionit të BE-së, nuk ka pranuar të hapë për negociata me Shqipërinë çështjen e Çamërisë. Ministria e Jashtme e Greqisë, akuzoi anëtarin e Komisionit të BE-së për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerim, Johannes Hahn se “mban anën e shqiptarëve në çështjen e Çamërisë”. Më 28 shtator 2016 Komisioneri Johannes Hahn kishte deklaruar se “në mesin e problemeve mes Shqipërisë dhe Greqisë, të cilat presin zgjidhje, ndodhet edhe çështja e Çamërisë”.
Në reagimin e dërguar Komisionit Evropian, nëpërmjet kanaleve të Ministrisë së Jashtme, u tha se nuk ekziston një çështje e quajtur “Çështja e Çamërisë”, prandaj edhe nuk mund të bëhet temë e negociatave.
Greqia bën mirë që interesohet nga afër me pakicat greke që jetojnë në vende të ndryshme të botës, në Ukrainë dhe kudo, përfshi edhe minoritetin grek në Shqipëri. Por ajo, paradoksalisht, që nga viti 1940, në mënyrë sistematike mohon praninë e pakicës shqiptare brenda kufijve të saj ku përfshihen shqiptarë ortodoks (arvanitas), dhe shqiptarët e Çamërisë dhe kështu shkel haptazi gjith Konventat ndërkombëtare.
Greqia në vitet 1944 – 1945 dëboi rreth 30 mijë shqiptarë nga Çamëria me akuzën absurde se kanë “bashkëpunuar me forcat okupatore italiane gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Pafajësia e çamëve është provuar ligjërisht nga Gjykata e Diktimit të Janinës, në shkresën me numër protokolli 1837, datë 29 shtator 1976, dërguar Ministrisë së Rendit Publik, Drejtorisë së Shërbimeve Kriminale në Athinë.
Greqia, gjatë këtyre 30 viteve të fundit, asnjëherë nuk i shikoi seriozisht kërkesat sporadike të ish – qeverive postkomuniste për kthimin e disa të drejtave të popullsisë çame. Ata, ende dhe sot, nuk lejohen të vizitojnë pronat e tyre në Greqi.
Shoqata Camëria dhe PDIU kanë kërkuar dhe vazhdojnë të kërkojnë me ngulm zgjidhjen e çështjes çame me mjete demokratike, duke u mbështetur në Kartën e Kombeve të Bashkuara si dhe në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat janë ratifikuar nga Parlamenti shqiptar, dhe nga Kushtetuta Shqiptare, në nenin 122.
Gjenocidi mbi çamët nisi me masakrën e parë në Përroin e Selanit në mars të vitit 1913, ku u vranë barbarisht 72 krerë nga paria çame, dhe përfundoi me masakrën e 27 qershorit të vitit 1944, ku Napoleon Zerva kreu masakra në të gjithë Çamërinë.
Në informacionin që koloneli britanik Vuthaus i dërgonte Londrës në fundmarsin e vitit 1945, midis të tjerave shkruante tekstualisht: “Nisur nga Misioni Aleat që drejtova, ju bëj me dije se Zerva i nxori jashtë çamët nga shtëpitë e tyre më 1944, shumica e të cilëve mundën të gjenin strehë në Shqipëri. Dëbimi i tyre u krye sigurisht përmes një gjakderdhjeje të madhe. Veprimi i Zervës u ndoq më pas në marsin e vitit 1945 nga një masakër akoma më e madhe, siç ishte kjo e marsit, në Filat, e cila nuk mund të falet.” (Arkivi i Institutit të Historisë- Tiranë. Fondi Zyra e jashtme britanike PRO\ FO Nr. 371\ 48094). Sipas Memorandumit të emigrantëve çamë në Shqipëri, i cili u paraqit jo vetëm në kancelaritë evropiane por deri në SHBA, në periudhën qershor 1944-mars 1945, janë vrarë gjithsej 2771 civilë të pambrojtur
Me operacionet e spastrimit etnik, qeveritarët e Athinës deklaruan se e mbyllën kapitullin e pakicës etnike shqiptare në Greqi. Këtë gjë e pohon me një farë kënaqësie A. Papadopoulos, një ndër historianët grekë të ditëve tona, i cili më 1992 ka shkruar: “… kështu, pra, u mbyll përfundimisht ky kapitull, që sundoi për shumë kohë një krahinë të tërë. Sot në Thesproti (Çamëri) nuk jeton asnjë shqiptar çam”.
Opinioni ndërkombëtar tashmë e njeh gjenocidin që është ushtruar ndaj popullatës çame, dhe e di se çfarë ka ndodhur në Çamëri, nga grekët gjenocidistë, në vitet 1913 – 1945. Dosja për këtë qëllim është përgatitur prej kohësh. Për këtë është punuar fort nga Shoqata Patriotike Çamëria dhe PDIU, që e ka dorëzuar dosjen çame në Strasburg.
Dosja për njohjen e gjenocidit të aplikuar mbi popullsinë çame, përmban provat ndërkombëtare për krimet kundër njerëzimit të aplikuar nga qeveritë greke nga viti 1913 deri në 1945, me të drejtën e riatdhesimit të banorëve të shpërngulur me forcë dhe me rikthimin e pronave.
Ndonëse kanë kaluar 78 vjet nga gjenocidi dhe shpërngulja me dhunë e popullsisë çame nga trojet e veta ende Shqipëria nuk ka dorëzuar në Hagë, në Institucionin më përgjegjës të Drejtësisë ndërkombëtare, Dosjen e Gjenocidit Grek mbi shqiptarët e Çamërisë.
Qeveritë shqiptare vazhdojnë ta injorojnë e ta shpërfillin gjenocidin ndaj Çamërisë. Ato nuk kënë bërë asnjë betejë për njohjen e gjenocidit grek në Çamëri dhe ta akuzojnë Greqinë për krime kundër njerëzimit. Qeveritë tona, jo vetëm që nuk janë të zonjat të marrin guximin ta dorëzojnë dosjen në Hagë , por druhen të kërkojnë me forcë që Greqia të heqë Ligjin e Luftës. Tani që kërkohet bashkëpunin më i ngushtë edhe mes anëtarëve të NATO-s Shqipëria duhet të kërkojë të ulet patjetër në tryezë me Greqinë për të zgjidhur edhe çështjen e Ligjit të Luftës. Por qeveria jonë, përkundrazi, shpërfill interesin komëtar dhe vazhdon të premtojë t’i japë 12 milje det Greqisë, pikërisht përmes Gjykatës së Hagës!