Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar sulmin e para 10 vitesh me eksploziv në veri të Mitrovicës, përkatësisht të “Tre Rrokaqiejt”, ku i vrarë mbeti Selver Haradinaj dhe u plagosën gruaja dhe dy fëmijët e tij.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Kurti ka thënë se autoritetet e prokurorisë dhe të policisë e kanë gjithë mbështetjen që të veprojnë për zbulimin dhe kapjen, drejt gjykimit dhe dënimit të fajtorëve.
Gjithashtu, i pari i ekzekutivit ka thënë se ka shpresë e besim se vrasësi apo vrasësit e Selver Haradinajt do të vihen para drejtësisë, meqenëse, siç thotë, institucionet kanë arritur të zbulojnë autorët e disa krimeve të kësaj natyre.
“Sot ne e kujtojmë me dhimbje e pikëllim Selver Haradinajn, dhe kërkojmë e angazhohemi për drejtësi. Autoritetet e prokurorisë dhe të policisë kanë gjithë mbështetjen që të veprojnë për zbulimin dhe kapjen, drejt gjykimit dhe dënimit të fajtorëve.
Kohët e fundit institucionet kanë arritur të zbulojnë autorët e disa krimeve të kësaj natyre. Prandaj kemi shpresë e besim që do të vihen para drejtësisë edhe vrasësi apo vrasësit e Selver Haradinajt.
Përmes drejtësisë dhe dënimit të kriminelëve Kosovën do ta bëjmë vend demokratik e prosperues ku të gjithë qytetarët jetojnë e punojnë të sigurt pavarësisht përkatësisë kombëtare e fetare, gjinore e sociale”, ka shkruar kryeministri i vendit.