11 qytetarë kanë përfunduar të premten në prangat e policisë, pas aksionit “Transporti 2” kundër kontrabandës, në Ferizaj dhe Mitrovicë. Sekuestrimi i tri automjeteve dhe mallrat komerciale ishte bilanci i aksionit.
Por, çfarë u konfiskua dje në veri? Aksioni me emrin “Transporti 2”, rezultoi i suksesshëm sipas policisë, pasi nga kontrollimi i katër automjeteve aty u gjetën sasi e konsiderueshme malli që dyshohet se është kontrabanduar.
Në pranga të policisë përfunduan 11 persona, si dhe u sekuestruan tri automjete që dyshohet se janë përdorur në këtë rast.
“Gjate kontrollit në këto katër lokacione dhe në automjetet e ndaluara është gjetur një sasi e konsiderueshme e mallit komercial (gjera ushqimore, pije alkoolike, duhan etj.) mall i kontrabanduar pa dokumentacion përkatës. Në konsultim me Prokurorin e Shteti, malli është konfiskuar nga Dogana e Kosovës dhe janë arrestuar njëmbëdhjetë meshkuj kosovarë nën dyshimin se merreshin me tregti të ndaluar dhe janë sekuestruar tri automjete”, thuhet në njoftim.
Hetimet për këtë rast kanë filluar qysh në fund të vitit 2021, teksa dje policia së bashku me Doganën e Kosovës e kryen aksionin. Vendet që u bastisën ishin tre në Shtërpcë, si dhe një kompani në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut.