Pak ditë më parë nga rezultatet e anketimit të Këshillimit Kombëtar që realizoi qeveria, doli se kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore është kërkuar që të bëhet nga shumica e qytetarëve. PD kundërshtoi fort këtë nismë. Por sot në Kongresin e PS, Rama tha se me legalizimin e kanabisit mjekësor do të hapen vende të reja pune. Gjithashtu ai shtoi se vitin tjetër do të pyeten qytetarët nëse dëshirojnë edhe legalizimin e kanabisit për përdorim vetjak.
“Do të krijojmë vende të reja pune me ngritjen e strukturave teknologjike për përpunimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Se nuk është për qëllime përdorimi vetjak. Vitin tjetër do t’i pyesim shqiptarët patjetër, e doni për përdorim vetjak? Do t’i pyesim se e kanë bërë treçereku i vendeve të botës, do t’i dëgjojmë. Kush thotë jo le të mobilizohet, edhe Rithemelimi. Dhe kështu me radhë të gjitha deri te Ballkani i Hapur”, tha Rama.
Në fjalën e gjatë në Kongresin e PS-së, kryetari i partisë më të madhe në Shqipëri nuk i la pas batutat dhe ironinë. Që në nisje, përshëndetja e veçantë për ish-kryetarin e grupit dhe Kuvendit, Gramoz Ruçi solli reagimin e sallës. “I nderuar kongres i PS, shumë të dashur socialistë dhe socialiste, kudo jeni dhe duke na ndjekur, i dashur Gramoz (duartrokitje në sallë)”, tha Rama.
Më pas ironizoi kohën kur qeveriste PD-ja dhe ministër i Shëndetësisë ishte, kreu i PDK-së Nard Ndoka. “Sektori që u jepej nga partia e madhe kaçakëve të koalicionit sepse askush nuk donte t’ia dinte për të, ishte një kockë për tua hedhur bandave politike. Merreni me mend vetë takimin në zyrën e ministrit mes COVID dhe Nard Ndokën”.
“Kemi hyrë në këtë mandat me një eksperiencë shumë të madhe e të re fale procesit të rindërtimit, prandaj ky katër vjeçar është edhe koha e duhur për të hedhur themelet për një proces të ri përkujdesjeje shoqërore, duke kthyer tani modelin e rindërtimt në model të ndërtimit në masë të shtëpive sociale.
Të shtëpive për ata që nuk kanë mundësi qofshin më të varfër apo të rinj që martohen, e me të drejtë duan të bëjnë atë që kam bërë unë që kur isha i vogël se ju e dini jam martuar i vogël, nuk duan të jetojnë me vjehrrin e vjehrrën, duan shtëpi më vetë” tha ai.









