Podgorica i ka vendosur sanksione Rusisë, e në lidhje me këtë, kryeministri Zdravko Krivokapiq është shprehur se Mali i Zi u është bashkuar sanksioneve, sepse është në përputhje të plotë me politikën e Bashkimit Evropian.
“Dje u formua një komision që do të monitorojë në mënyrë të përhershme të gjitha masat që dalin nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli Evropian, në lidhje me sanksionet ndaj Rusisë. Ne bëmë atë që ishte në dorën tonë, nuk ka fluturime midis Rusisë dhe Malit të Zi, por deri më tani s’ka konfiskimin të pasurisë së shtetasve rusë që ndodhen në vendin tonë, domethënë, jahtet që ndodheshin në Mal të Zi, janë larguar nga vendi ynë brenda tre ditësh dhe me sa dimë ata ishin të stacionuar në Turqi”, tha Krivokapiq.
Ai theksoi se sa i përket sekuestrimit të pasurisë së paluajtshme do të bëhet në përputhje me ligjet e Malit të Zi.
I pyetur nëse sanksionet do t’i sjellin dëm financiar Malit të Zi, Krivokapiq tha se, për fat të keq, sanksionet më së shumti prekin njerëzit e thjeshtë dhe madje edhe vendet që i bashkohen.