Nisma Socialdemokrate e udhëhequr nga Fatmir Limaj, ka reaguar pas raportimeve në media se ish prokurori dhe politikani zviceran, Dick Marty është në mbrojtje të policisë 24 orë, pasi serbët deshën ta vrasin dhe të fajësojnë shqiptarët.
Nisma Socialdemokrate vlerëson se një lajm i tillë mund të befasojë ata që nuk e njohin funksionimin e shërbimit sekret serb.
“Prandaj lajmi që Dik Marty është në mbrojtje të lartë policore për shkak se shërbimet serbe kanë dashur ta vrasin me qëllim që t’ua lënë fajin shqiptarëve, konfirmon katërcipërisht se ky shtet nuk ka hequr dorë nga logjika terroriste e funksionimit të tij”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Nismës Socialdemokrate.
Më 24 tetor të vitit 2018, në “TV HAPPY”, ambasadori i Serbisë në Zvicër, Milan St Petriq, rrëfeu për mënyrën se si iu dhanë Dick Martyt provat e sajuara nga shërbimi sekret i Serbisë për të ashtuquajturin trafikim me organet njerëzore nga UÇK-ja.
Sajimi i një akuze të tillë kishte për funksion të dëmtonte imazhin e luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës dhe sidomos rezultatin e kësaj luftë: pavarësinë e shtetit të Kosovës.
Në funksion të dëmtimit të çështjes së pavarësisë së Kosovës, Shërbimi Sekret i Serbisë kishte planifikuar të vriste Dick Martyn dhe për këtë vrasje të fajësonte shqiptarët. Një lajm i tillë mund të befasojë ata që nuk e njohin funksionimin e shërbimit sekret serb. Të gjithë njohësit e asaj çfarë ka ndodhur gjatë luftërave në procesin e shpërbërjes së Federatës Jugosllave e dinë fare mirë se Shërbimi Sekret i Serbisë nuk ngurroi të vrasë edhe fëmijë serbë dhe malazes vetëm e vetëm t’u lihet faji shqiptarëve (Rasti në kafenenë “Panda” është vetëm njëri nga rastet e shumta). Prandaj lajmi që Dik Marty është në mbrojtje të lartë policore për shkak që shërbimet serbe kanë dashur ta vrasin me qëllim që t’ua lënë fajin shqiptarëve, konfirmon katërcipërisht se ky shtet nuk ka hequr dorë nga logjika terroriste e funksionimit të tij.
Prandaj, tërheqja publike e Dick Martyt nga shërbimi që i ka bërë shërbimit sekret serb që ka planifikuar edhe vrasjen e tij, është ndihma më e madhe që ai mund t’i japë drejtësisë.