Një javë më parë ka rënë në pranga shqiptari Nezdet Vokshi, i cili ishte një ndër më të kërkuarit në Holandë.
Pas arrestimit të shqiptarit më të rrezikshëm të kapur në Ekuador, kanë dalë edhe pamjet e çastit të shoqërimit nga policia të 52-vjeçarit , i cili paraqitet me pranga në duar dhe dy efektivët të armatosur rëndë.
Vokshi kërkohej nga Interpoli për trafik droge dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale.
Vokshi ishte në Listën e Kuqe të Interpolit që nga 15 marsi pasi shërbimet hetimore gjetën vendndodhjen e tij. Sipas hetimeve ai ishte i arratisur që nga viti 2010 dhe fillimisht iku në Peru.
Ai u arrestua pranë një karburanti teksa po udhëtonte për në shtëpi me makinën e tij Ford.
Ky nuk është arrestimi i parë i Nezdet Vokshit – ai është vendosur në pranga në Peru në vitin 2012 me kërkesë të autoriteteve belge, por atëherë u arratis me familjen në Ekuador përpara se të mund të ekstradohej në Belgjikë.
Ai gjithashtu supozohet të jetë ende duke vuajtur dënimin në mungesë për kontrabandë kokaine të dhënë në vitin 2011, kur ishte përfshirë në importin e 400 kilogramëve kokainë.