Zaimina Vasjari ka dalë në përgjimet e policëve të arrestuar në Morinë. Një aksion që kishte për synim goditjen e policëve të korruptuar, ka nxjerr në pah edhe emrin e këngëtares. Bëhet me dije se Zaimina ka kaluar kufirin në Morinë, me fëmijët, pa prokurën e posaçme. “Unë kam një fëmijë tre javësh, dhe se kam lexuar fare, nuk kam kohë të merrem”, ka thënë artisja. Megjithatë në prononcimin e saj, ajo ka mohuar lajmin se ka udhëtuar drejt Kosovës me fëmijët pa prokurë.
“Është thjesht një lajm portalesh. Nuk është e vërtetë, unë nuk kam kaluar asnjëherë në Morinë me fëmijët. Kam një fëmijë tre javësh dhe po kaloj një kohë shumë të bukur. Nuk dua që emri im të lakohet nëpër portale për këtë çështje”, është shprehur këngëtarja, e cila ka mohuar kështu përfshirjen e saj në përgjimet e policëve të arrestuar.
Çfarë ndodhi?
Një aksion i madh policor zbuloi 312 raste korrupsioni të kryera nga 32 policë të doganës e Morinit në Kukës. Nga operacioni i përbashkët i autoriteteve policore të Shqipërisë dhe Kosovës u ndaluan edhe 28 policë të pikës doganore Vërmicë, për të njëjtat akuzë. Punonjësit e policisë në doganën që lidh Shqipërinë me Kosovën ndihmonin që të kalonin kufirin edhe persona me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre në vendet e BE-së.
Në një prej episodeve interesante që vërehen në dosje është edhe me protagoniste artisten dhe këngëtaren Zaimina Vasjari, e cila ka kaluar fëmijët e saj në kufi pa prokurën e posaçme.
Në dosjen e Prokurorisë theksohet se datën 02.01.2022, ora 10:57, në aplikacionin “Ëhatsapp”, shtetasi i regjistruar me emrin “Tani Durrës” i thotë Laertit
Sulo me sms: “…..është nusja e një shoku të ngushtë me kalamajtë aty Morinë, po s’ka prokurë, Zajmina Vasjari.
Laert Sulo Polici: Kur do kthehet?
Tani: Ja ta pyes… dy ditë, datë 4 ka kthim…
Laerti: Ok, çfarë makine ka ose jepi nr. tim të flas me të…
Tani: ‘Renxh Rover’ ‘AA001UD’…
Laerti: Ok.
Menjëherë më pas, ora 11:00, Laert Sulo ia kalon me mesazh targën e automjetit të shtetases si porosi për ta ndihmuar punonjësit të Policisë Emilton Asllanaj me detyrë përgjegjës turni në P.K.K Morine duke i thënë:
Laert Sulo: Ndihmoje pak është duke ikur për në Kosovë, duhet ta njohësh, Zajmina Vasjari……….
Emiltoni: Jepi nr. tim
Nga verifikimi në sistemin TIMS rezulton se shtetasja Zajmina Vasjari ka kryer dalje nga Republika e Shqipërisë në datë 02.02.2022 dhe ka hyrë në datë 04.02.2022, duke kaluar kufirin me mungesë dokumentacioni Prokurore për fëmijët e mitur, duke u favorizuar dhe ndihmuar nga punonjësi i Policisë Emilton Asllanaj, kundrejt porosisë të marrë nga shefi i stacionit, Laert Sulo.
Po ashtu, nga verifikimi në sistemin TIMS rezultojnë të regjistruar edhe dy fëmijët e saj të mitur./Panorama