Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi deklaroi sot se LSI do të nisë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Kryemadhi u shpreh se duhen vendosur në zbatim mësimet e të shkuarës ndërsa shtoi se organizimi do të nisë nga Bashkia e Tiranës. Pasi në 2019 ata bojkotuan zgjedhjet lokale duke i lënë pushtetin në dorë Edi Ramës.
“E kam thirrur këtë mbledhje me ju si delegatë të LSI në Bashkinë Tiranë, sepse është përgjegjësia jonë, duke vendosur në funksion edhe mësimet e së shkuarës, pra të 25 Prillit 2021 dhe 6 Marsit 2022, për të nisur që sot përgatitjet tona për zgjedhjet lokale që po vijnë.
Organizimi për zgjedhjet vendore 2021 do të nisë nga Bashkia Tiranë, e duke vijuar me të gjitha Bashkitë e Shqipërisë. Kam marrë një ndjesi shumë pozitive nga njerëzit që kam takuar përgjatë Shqipërisë në këto muaj, një energji të jashtëzakonshme që nuk ishte ndjerë prej kohësh. Kjo është energjia e frymës që krijon shembulli i një opozite të vërtetë. Qytetarët në të gjithë vendin janë të lodhur me situatën aktuale dhe kërkojnë një alternative”, deklaroi Kryemadhi.