Pas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, edhe Banka Botërore ul parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë këtë vit, si pasojë e ndikimit të efekteve të luftës Rusi-Ukrainë.
Në raportin e fundit ”Lufta në Rajon” për Europën Qendrore dhe Azinë, Banka Botërore parashikon që ekonomia jonë të rritet me 3.2 për qind, ose 0.6 % më pak se raporti i mëparshëm. Edhe për vitin 2023, ekonomia pritet të rritet me 3.4%, ose 0.3 % më pak se vlerësimi i mëparshëm.
Banka Botërore vlerëson në pjesën për Shqipërinë se për vitin 2022, perspektivat janë të pasigurta dhe rreziqet janë shtuar. Lufta në Ukrainë dhe sanksionet e vazhdueshme mund t’i shtyjnë çmimet e energjisë, ushqimeve dhe mallrave në nivele edhe më të larta, duke zvogëluar fuqinë blerëse dhe konsumin e familjeve.
Rreziqet shtesë përfshijnë variante të reja, rezistente ndaj vaksinave Covid-19, kushte më të rrepta financiare dhe tregtare globale dhe kufizime të reja të udhëtimit.
Raporti thekson se skenari bazë parashikon që aktiviteti ekonomik të zgjerohet me ritmin e tij historik të para pandemisë dhe para tërmetit. Megjithatë, lufta në Ukrainë mund të rrisë më tej inflacionin, të ndërpresë zinxhirët e furnizimit, të ndikojë tregjet financiare dhe cenojnë besimin; të gjitha këto mund të zbehin perspektivat e rritjes së Shqipërisë. Nga ana tjetër, një treg i ngadaltë i punës i kombinuar me fuqinë blerëse të zvogëluar mund të ngadalësojë uljen e varfërisë.
Banka Botërore vlerëson se një prioritet kyç i reformës afatmesme është nevoja për të nxitur mbledhjen e të ardhurave dhe për të arritur konsolidimin fiskal, duke krijuar njëkohësisht hapësirë për shpenzime të konsiderueshme me qëllim për të nxitur rritjen.