Socialistët thonë se po presin që grupi parlamentar të marrë një vendim politik për qëndrimin që ata duhet të mbajnë në lidhje me deputetët e lidhur me Aqif Rakipin, i cili u sanksionua si anëtar i krimit të organizuar nga Departamenti i Thesarit i SHBA.
Grupi parlamentar socialist pritet që të marrë një vendim politik në lidhje me të paktën dy mandate deputetësh të fituara nga ndikimi i drejtpërdrejtë i Aqif Rakipit në fushatë, i cili përshkruhet nga SHBA si një ish-deputet “famëkeq” me ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri.
Djali i tij, Ornaldo Rakipi dhe një familjar i afërt, Saimir Hasalla, u zgjodhën deputetë në listat e PS-së në zgjedhjet e fundit me mbështjetjen e Rakipit.
Kolegët e tyre të PS-së hezitojnë ta komentojnë vendimin e Zyrës së Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) dhe të pozicionohen hapur nëse dy deputetët e listës “Rakipi” duhet të vijojnë mandatin apo duhet të distancohen nga PS. Ata qartësisht presin një orientim politik nga drejtuesit e partisë për këtë qëndrim.