Pandemia ka ulur “armët”, por Komiteti i Ekspertëve në Shqipëri nuk do të shkrihet. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha sot se komiteti është në gatishmëri për të panjohurat e shumta që janë.
“Komiteti i Ekspertëve jo vetëm që nuk ka plan që të shpërbëhet, por përkundrazi Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vijuar ashtu sikurse ka bërë gjatë 2 viteve të pandemisë, të vlerësojë situatën epidemiologjike në vend. Situata paraqitet e qetë, nuk kemi një situatë që mund të na sjellë problematika.
Virusi ende vijon, fakti që ne kemi një rritje të mbulesës vaksinale, tregon për efektet e efikasitetit të vaksinave. Variantet e reja që qarkullojnë dhe në Evropë kanë sjellë një rritje të rasteve dhe sigurisht që Komiteti i Ekspertëve do të vijojë punën e tij për të vlerësuar situatën epidemiologjike dhe për të marrë masat në rastet nëse ka një sinjalizim të ri.
Ky virus është i paqëndrueshëm. Komiteti Teknik i Ekspertëve do të vijojë punën e tij, në vlerësim e në marrjen e masave. Të mos harrojmë se ne kemi një protokoll, do të vijojmë të mbetemi në gjendje gatishmërie që të ketë masa të tjerat që të mbrojë.
Përsa i përket bonusit, ashtu sikur ju e dini ka një vendim qeverie që ka dalë në Mars të 2020, që jepte bonusin për mjekët dhe infermierët përgjatë gjithë periudhës së pandemisë, vijon gjithashtu të jepet ky bonus, por me vendimin e qeverisë së Janarit 2022, bonusi jepet në mënyrë periodike duke justifikuar në të gjitha strukturat e vendit për të gjithë volumin e punës apo riskun që kanë për shkak të punës që ata bëjnë në strukturat shëndetësore” tha ajo.