Vijareali ka bërë një nga surprizat më të mëdha të Ligës së Kampioneve teksa ka eliminuar favoritët e Bajern Mynih duke kaluar në gjysmëfinalet e turneut për herë të dytë në histori. Një rezultat mbresëlënës që është shoqëruar me shumë eufori, e nuk kanë munguar as talljet me rivalët e tyre.
Pakkush e priste ekipin spanjoll të kualifikohej, e sigurisht kështu edhe bavarezët. Këta të fundit, nëpërmjet Twitter kishin kërkuar nga tifozët të bënin parashikimin për rezultatin e ndeshjes dhe një prej tyre u ishte përgjigjur 9-3. Bajerni ripostoi parashikimin duke shkruar “Do ta pranonim kështu!” të shoqëruar me emoji të një fytyre të qeshur.
Pas ndeshjes, e kishte radhën Vijareali të qeshte dhe tallej. Klubi spanjoll ripostoi në adresën e vet në Twitter atë që kishte shkruar Bajerni duke komentuar në gjuhën gjermane “A je i sigurt?” për këtë tallje epike që është shpërndarë menjëherë me shpejtësi në rrjetet sociale.