Presidenti Ilir Meta kërkon një shkundje nga rinia shqiptare për t’u ngritur dhe për të marrë në dorë fatet e vendit përballë situatës ku largimet vazhdojnë, pasi nuk gjejnë shpresë në atdheun e tyre.
“I lumtur të takoja një grup të rinjsh të programit të OSBE-së në Shqipëri “Youth Trail”, që synon të promovojë bashkëpunimin e rinisë shqiptare me bashkëmoshtarët e tyre nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.Në bashkëbisedimin e ngrohtë dhe të hapur, ku mori pjesë edhe Ambasadori i OSBE-së, Vincenzo Del Monaco, theksova rëndësinë e angazhimit dhe përfshirjes aktive të të rinjve në politikë dhe vendimmarrje, për të përshpejtuar proceset integruese të vendeve tona dhe konsoliduar arritjet e deritanishme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Ka ardhur koha për një zgjim dhe shkundje të rinisë, për të marrë në dorë fatet e saj dhe të së ardhmes së vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Për këtë është e domosdoshme që rinia të jetë e bashkuar dhe ndërvepruese, veçanërisht për të nxitur llogaridhënien në çdo nivel dhe refuzuar politikat qeverisëse, që nuk i dëgjojnë, nuk i përfshijnë dhe nuk ju japin asnjë mundësi për të shpalosur potencialet e tyre.Shqetësimi im i madh është shpopullimi, veçanërisht largimi i të rinjve, që përbën një kërcënim mjaft serioz për të ardhmen e vendeve tona, veçanërisht të Shqipërisë.Është thelbësore të rikthejmë shpresën dhe besimin tek të rinjtë, për t’u krijuar të gjitha hapësirat për të ndërtuar në vendin e tyre, të ardhmen e sigurt europiane” shkruan Meta.