Ushtria amerikane në faqen e saj të internetit ka treguar se si rreshteri amerikan, Jessey McDaniel, i doli në ndihmë një personi që kishte rënë nga, siç thuhet artikull, shtylla elektrike teksa ishte duke punuar.
“Rreshteri Jessey McDaniel, këmbësor me batalionin e parë, regjimentin 149 të këmbësorisë, ekipin luftarak të Brigadës 116 të Këmbësorisë, Gardën Kombëtare të Kentakit dhe anëtar i një prej ekipeve të Monitorimit të Ndërlidhjes së Forcave të Kosovës, po udhëtonte me një drejtor të zhvillimit ekonomik të Kamenicës. Pak përtej Parteshit, Kosovë, McDaniel dhe një shok i tij i skuadrës tejkaluan trafikun për të vlerësuar situatën. Ata gjetën një linjë elektrike të shtrirë në rrugë dhe një burrë aty pranë”, shkruhet në faqen zyrtare të ushtrisë amerikane.
“Ne vumë re një person të shtrirë, ku në fytyrë i kishte rënë një shkallë, i cili ishte i shtrirë tokë pranë një shtylle elektrike”, citohet të ketë thënë McDaniel nga faqja e ushtrisë amerikane.
“Ishte e dukshme se teksa ai ishte duke punuar në shtyllën e energjisë elektrike, një rimorkio traktori kishte goditur shtyllën e varur të energjisë dhe e kishte rrëzuar burrin nga shkalla”.
Siç thekson artikulli, pasi vlerësoi situatën, McDaniel mori çantën e tij ‘Combat Lifesaver’ dhe filloi t’i ofrojë ndihmë. Ai vuri re plagë të shumta në fytyrën e viktimës dhe humbje të konsiderueshme gjaku. Përveç kësaj, vijon shkrimi, personi dukej i tronditur dhe kishte dobësim të reagimit. McDaniel i kishte ofruar ndihmë derisa viktima të jetë transportuar në një spital në Gjilan të Kosovës.
“Fillova të informoj ata që duhej të kishin dijeni për rastin, duke filluar nga Policia e Kosovës. Unë arrita të marr në linjë dispeçer që fliste anglisht dhe ishte në gjendje t’i informonte për situatën, vendndodhjen dhe se burri ishte transportuar në spital”, njoftoi më tej rreshteri amerikan, sipas faqes së forcave amerikane.