Një sportist i kikboksit nga Kosova, është dënuar në Zvicër me burg dhe me urdhër dëbimi nga shteti.
Bëhet fjalë për një përleshje para një klubi në qytetin e Lucernit që ka ndodhur pesë vjet më parë. Dëshmitë dhe disa video kanë inkriminuar sportistin kosovar, të cilin, Gjykata Penale e Luzernit e kishte dënuar për lëndim të rëndë trupor. Përleshjes i ka paraprirë një debat për një cigare me hashash, e cila ka shtyrë të akuzuarin të godasë viktimën.
Viktima, një zviceran, nuk është shëruar nga kjo goditje, nuk ishte në gjendje të punonte dhe madje i është dashur të regjistrohej për pension invaliditeti, shkruan Luzerner Zeitung. Mirëpo, 28-vjeçari kosovar nuk e sheh veten si autor, por si viktimë. Ai thotë se ka vepruar në vetëmbrojtje.
Në seancën e apelit në Gjykatën Kantonale të Lucernit, i akuzuari ka “luftuar” kundër dëbimit disavjeçar nga vendi. Avokati i tij mbrojtës e quan veprën e klientit të tij “sulm të thjeshtë” dhe, rrjedhimisht, ky dënim nuk do të rezultonte me dëbim nga vendi.
Por, sipas Gjykatës Kantonale të Lucernit është përmbushur vepra penale e tentativës për lëndim të rëndë trupor. Dëshmitë si dhe videot e kanë vërtetuar qartë këtë. Nuk mund të bëhet fjalë për vetëmbrojtje, tha gjyqtari në hapjen e aktgjykimit. Duke qenë se lëndimi i rëndë trupor është një e ashtuquajtur vepër e katalogut dhe kjo rezulton automatikisht me dëbim nga vendi, 19 muajt e burgimit me kusht shoqërohen me 7 vjet dëbim nga vendi.
Në justifikimin e tij të shkurtër, gjyqtari tha: “Njeriu me përvojë në artet marciale dinte për pasojat e goditjeve dhe grushtave të tij.
Sa i përket dëbimit nga vendi, gjyqtari shton: “Edhe pse i akuzuari ka kaluar fëmijërinë dhe adoleshencën e tij në Zvicër dhe gjithashtu ka përfunduar këtu praktikën (kualifikimin), nuk priten vështirësi personale”.
Ai i është përmbajtur sistemit ligjor zviceran deri në krimin e tij të kryer në vitin 2017. Por ai mund ta gjejë veten në Kosovë, si profesionalisht, ashtu edhe në aspektin social, transmeton albinfo.ch. Dëbimi nga vendi, i cili është tre vjet më i shkurtër sesa ishte kërkesa e gjykatës penale, është i justifikueshëm.
Kosovari ka ardhur në Zvicër në vitin 1997 në moshën katërvjeçare, këtu ka ndjekur shkollimin dhe ka mësuar një zanat. Ai ka një vend pune dhe tani jeton me gruan e tij në rrethinën e Lucernit. Është ende e paqartë nëse ai do të apelojë vendimin në Gjykatën Federale. Aktgjykimi u dërgohet palëve me shkrim.