Deputeti i PD-së, Helidon Bushati debatoi me ministren e Bujqësisë Frida Krifca sot në seancën plenare të Kuvendit. Kricfa lëshoi akuza, por drejtuesja e seancës, Felaj ia mohoi fjalën për të reaguar deputetit demokrat që bllokoi foltoren.
“Nuk ka të drejtë për replikë, ju lutem zoti Bushati uluni. Ministrja ka të drejtë të ndërhyjë për këtë projektligj. Rregullorja nuk ua jep të drejtën e replikës” i tha ajo, por Bushati nuk e lëshoi foltoren deri kur mori “kërcënimin”.
“Ju lutem uluni zoti Bushati. Helidon ulu nuk është rasti. Aty nuk mund të rrish pa fund sepse pastaj vjen aplikimi i masave të tjera. Ju tërheq vëmendjen për mos respektimin e urdhrave që jepen gjatë seancës parlamentare” e paralajmëroi Felaj duke sjellë më pas largimin e Bushatit nga foltorja e Kuvendit.
Kryetari i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj kishte ankesa për Felajn. “Sa herë që ulesh ti aty ndodhin vetëm incidente në këtë sallë. Nuk e kuptoj çfarë frustrimi ke ti kur je aty. Kur je aty je e Kuvendit të shqiptarëve.
Mundohu që në aparencë të zbatosh rregulloren. Është e drejta parlamentare e parlamentarizmit replika. Shyqyr që është Fadili, atë që donte ta thoshte Bushati e tha Fadili, bravo Fadil” tha ai. “Ju siguroj se rregullorja do të lexohet ashtu siç shkruhet jo siç e doni ju të lexohet” i tha Ermonela Felaj.