Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar vendet e Bashkimit Evropian se naftën ruse, po e blejnë me “paratë e gjakut të qytetarëve që jetojnë aty”.
Në një intervistë për median shtetërore britanike, BBC, Zelensky veçoi mbi të gjitha dy vende, Gjermaninë dhe Hungarinë, të cilat sipas tij po bllokojnë përpjekjet e unionit për të krijuar një embargo mbi shitjet në sektorin e energjetikës të Moskës.
Kësaj të fundit, vetëm ky aspekt financiar, i sjell fitime rreth 250 miliardë paundë në vit, ose përafërsisht 326 miliardë dollarë.
Lidershipi ukrainas, prej disa javësh ka treguar pakënaqësi të qartë kundrejt Berlinit. Disa veprime nga kancelari gjerman Olaf Scholz janë ndërmarrë.
Megjithatë, në optikën e Kievit, ato nuk janë aq të forta dhe po tregohet rezistencë për të hequr dorë nga nafta ruse.
“Disa nga miqtë tanë e kanë kuptuar tashmë se nuk është më çështje biznesi apo parash”, theksoi Zelensky. “Është një çështje mbijetese”.
Ndër të tjera, ai nuk ngurroi as të bënte thirrje për më shumë armë, duke bërë kërkesa direkte nga qeveritë evropiane, për të furnizuar Kievin me municione të mjaftueshme.
“SHBA-të, Britania e Madhe dhe disa vende të BE-së, po mundohen të na ndihmojnë dhe po na ndihmojnë”, vijoi ai. “Por, na duhet të bëhen gjërat më shpejt. Më shpejt, kjo është fjala kyçe e çastit”.