Në Kosovë ende janë në fuqi masat mbrojtëse ndaj Covid-19 që janë marrë më 1 mars dhe ato nuk pritet të lehtësohen më tej.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se momentalisht nuk do të ketë ndonjë ndryshim të masave, por që situata është duke u ndjekur me vëmendje.
“Tani për tani masat do mbeten kështu siç janë. Siç po shihet vendet e ndryshme janë në telashe me COVID-in, shembull sa mësova para dy ditëve se Filadelfia i ka vendosur maskat brenda në çdo vend, i ka bërë të detyrueshme. Neve na duhet të shohim se si po shkon çështja me zhvillimin e COVID-it”, tha shkurt Latifi.
Sipas të dhënave të fundit, nga 888 testime, 22 qytetarë kanë rezultuar pozitivë me virusin COVID-19. Në total numri i rasteve aktive është 499
Sipas masave në fuqi, çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme: Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë me dy doza ose me një dozë të vaksinës Janssen (J&J) që nuk ka kaluar më shumë se 12 muaj nga marrja e dozës së fundit; Certifikatën e vaksinimit me një dozë e shoqëruar me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë; Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 në 90 ditët e fundit (test RT-PCR pozitiv i lëshuar 21–90 ditët e fundit); Dëshmi se personi e ka marrë dozën e tretë/përforcuese Dëshmi të testit RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë.