Ish-deputeti demokrat Igli Cara ka vendosur të kandidojë në Durrës për kryetar të PD-së. Me anë të një postimi në Facebook, Cara shkruan se situata e keqe në vend nga keqqeverisja si dhe kriza e PD-së e ka bërë atë që të marrë këtë vendim. A gjithashtu ka shtuar se fuqizimi i partisë do të arrihet vetëm me bashkim si dhe përkushtim të anëtare të saj.
Të dashur miq! Këto kohë të vështira, që po kalojmë janë shndërruar në një sfidë për secilin prej nesh. Kryefjala e 9 viteve është keq qeverisja e Ramës, që u përkeqësua nga dëmet e tërmetit, që u pasuan nga situata e krijuar nga koronavirusi dhe së fundmi me luftën që ka nisur në Ukrainë. Korrupsioni, që ka kapur çdo nivel, duke nisur nga më i larti, dhe arroganca e një shpure qeverisëse, që nuk njeh kufij në të keqen që prodhon, kanë venitur besimin dhe shpresën.
Nga ana tjetër, ne, si opozitë kemi 9 vite, që kemi humbur shijen e fitores dhe nuk mundëm të ndërtonim mekanizmat e analizës, të marrjes së përgjegjësisë dhe të hapjes së një debati brenda nesh. Pasojat dihen, por nuk përfunduan me kaq. Pas 9 shtatorit, një seri ngjarjesh e rënduan edhe më shumë situatën, e cila vijon të jetë delikate, duke gjeneruar edhe kontradikta e konflikte. Duke parë përtej kësaj krize, vlerësoj dhe besoj se e vetmja mundësi për të sjellë ndryshimin në vend është bashkimi dhe kthimi i PD në alternativë qeverisëse. Kemi nevojë ta shohim njëri-tjetrin në sy, por mbi të gjitha është domosdoshmëri të kontribuojmë për ndërtimin e besimit dhe ringritjes së Partisë Demokratike!