Kur kanë kaluar dy ditë nga lajmi për atentatin në Shijak kundër ish-policit, Orlando Paplekaj ende nuk ka asnjë të arrestuar.
“Nga një automjet tip “Golf” është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Kamionçinë” njoftoi policia ditën e shtunë, ku nuk u raportua për të lënduar.
Dyshimet për inskenim
Dy janë arsyet përse atentati i pretenduar mund të jetë inskenim. E para në vendin e ngjarjes u gjetën tre gëzhoja, por asnjëra nuk kishte kapur kamionçinën, e cila nuk ka asnjë shenjë plumbi.
E dyta, fakti që Orlando Paplekaj ka ndryshuar dëshminë. Pas ngjarjes, Orlando Paplekaj tha në policinë e Durrësit “më dolën përpara, nxorën automatikun nga një thes dhe qëlluan në drejtim të kamionçinës”.
Ndërkohë që ditën e sotme, djali i policit të burgjeve, u shpreh për mediat se ”Në momentin që u bë atentati, kamionçina ka qenë e ndaluar.
Isha duke komunikuar me disa persona që ndodheshin aty pranë. Në këtë moment ka kaluar pranë nesh një person tjetër dhe në këtë moment u qëllua me armë”.
Nisur nga dyshimet se situata mund t’i ketë dalë nga duart, Orlando Paplekaj e hedh “topin” te pronari i pikës së furnizimit me bombola oksigjeni.
“Kam frikë mos është një atentat, ose paralajmërim ndaj punëdhënësit tim, pasi unë nuk kam asnjë konflikt” tha ai.
Gjithsesi edhe pse u shpreh se “nuk ka asnjë inskenim për azil”, dyshimet e grupit hetimor janë të forta. Gjithçka është në tryezën e hetimit.