Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka vëzhguar gjuajtjen provë të një “lloji të ri të armëve të drejtuara taktike” që synon të rrisë aftësitë bërthamore të vendit, sipas mediave shtetërore.
Raporti erdhi ndërsa Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se Pheniani mund të rifillojë së shpejti testimin bërthamor dhe pasi Kim theu një moratorium të vetë-imponuar për testimin e raketave balistike ndërkontinentale (ICBM) me një lëshim muajin e kaluar.
Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve tha se testi i fundit i armëve “ka një rëndësi të madhe në përmirësimin drastik të fuqisë së zjarrit të njësive të artilerisë me rreze të gjatë të vijës së parë dhe në rritjen e efikasitetit në funksionimin e armëve taktike”.
Kim, i cili drejtoi testin, “ka dhënë udhëzime të rëndësishme për ndërtimin e mëtejshëm të aftësive mbrojtëse dhe forcave luftarake bërthamore të vendit”, thekson Agjencia.
Fotot e realizuara nga gazeta Rodong Sinmun treguan Kim-in duke buzëqeshur, i rrethuar nga zyrtarë me uniformë, duke duartrokitur ndërsa shikonte atë që thoshte se ishte gjuajtja testuese e armës.
Ushtria e Koresë së Jugut konfirmoi lëshimin e armëve, duke thënë herët të dielën se kishte zbuluar dy predha të lëshuara nga bregu lindor i veriut drejt detit të shtunën vonë.
Predha fluturoi rreth 110 kilometra (68 milje) me një apogje prej 25 kilometra.