Shpërthimet e krismat që ndodhën mbrëmë në veri të Mitrovicës i ka dëgjuar edhe kryetari Bedri Hamza. Ai kërkon të bëhet kujdes nga të gjitha institucionet duke u shprehur se “situata është e ndjeshme”.
Mbrëmë në Mitrovicën Veriore ka pasur shpërthime që sipas policisë kanë ardhur nga mjetet piroteknike, teksa krismat janë dëgjuar edhe në pjesën jugore të qytetit.
Kryetari i Mitrovicës Bedri Hamza tha se i ka dëgjuar edhe vetë këto krisma.
“I kemi dëgjuar se unë aty jetoj, jetoj në qendër të qytetit te cepi i urës. Janë dëgjuar normalisht që situata e sigurisë është mjaft e ndjeshme, duhet kujdes prej të gjitha institucioneve dhe secili ta kryejë punën e vetë me përkushtim me përgjegjshmëri të lartë dhe me kujdes maksimal”, tha Hamza të hënën.
Ai tha se është në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët dhe se nuk është e lehtë jeta në këto rrethana.
“Unë jam në kontakt me qytetarët, dal edhe në atë pjesë andej. Ata i kanë shqetësimet e tyre, për sigurinë e tyre, të pronës, etj., nuk është e lehtë thjeshtë të jetosh në ato rrethana, ata jetojnë që një kohë të gjatë. Edhe na jemi gjithmonë brenda kompetencave tona si komunë, se ne e dimë që kompetencat e pushtetit lokal në Mitrovicë në pjesën e territorit të komunës jugore janë të plota, por në territorin e komunave tjera ne mundemi të solidarizohemi, t’i ndihmojmë gjithçka që është brenda kompetencat tona”, u shpreh Hamza.