Partia Socialiste ka përjashtuar Sali Berishën dhe grupin e tij të Rithemelimit nga procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit, por edhe LSI-së. Për dy rastet, Taulant Balla u shpreh se asnjëri prej tyre nuk ka grup parlamentar në Kuvend.
“Grupet në Kuvend dihet se kush janë dhe gjithmonë ka qenë konsultim mes grupeve parlamentare. Kam qenë në këtë kuvend kur janë zgjedhur tre presidentë, por kam ndjekur edhe më parë si ka ndodhur.
Mendoj se Kuvendi duhet ta ruajë këtë traditë për konsultime mes grupeve. Rregulloja ka përcaktuar numrin prej 7 anëtarësh për grupet, nuk ka një grup të LSI-së dhe për qenë korrekt, sikur nuk kishte një grup parlamentar të komisionit të Rithemelimit” tha Balla.
Elisa Spiropali u shpreh se socialistët ende nuk e kanë identikitin e pasardhësit të Ilir Metës dhe se mund të ketë surpriza. “Emrat mund të jenë surprizë. Jemi krejtësisht të hapur. Nuk e kemi përcaktuar identikitin e presidentit të ri. Ka njerëz dinjitozë, profesionistë, apo njerëz me kontribut të spikatur që mund të plotësojnë pritshmëritë e publikut. E rëndësishme është të mos kthehemi te modelet e vjetra për të përdorur institucionin e Presidentit për çudira që i kemi parë deri më sot dhe që nuk na bëjnë nderë” tha ajo.