“Ilir Meta e bëri Shqipërinë qesharake me dekret presidencial”. Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama që njoftoi se kreu i ri i shtetit do të futet në zyrë me dy ligje të reja. I pari që rregullon veprimtarinë e Presidentit dhe i dyti për dekoratat. Në fjalën e tij përpara grupit, Edi Rama kishte një “breshëri” sulmesh për ish-aleatin e rij, Ilir Meta.
“Ka pasur dhe ka një debat me “pse”-në e mos zgjedhjes së Presidentit nga populli dhe ripërsëritjen e të njëjtit proces, që mbetet i kufizuar në kornizën e veprimtarisë së partive politike në Kuvend. Natyrisht është temë që meriton që të diskutohet. Në të gjitha rastet, në kushtet ku jemi, presidentin do ta zgjedhë Kuvendi. Por ne kemi detyrim t’jua japin mundësinë të shprehen për këtë temë, por duke përcaktuar disa piketa, pasi Shqipëria është Republikë e pastër parlamentare dhe nuk e mban dot një president të zgjedhur nga populli me këto kompetenca, që figura e kreut të shtetit ka sot.
Por patjetër që Shqipëria mund ta zgjedhë një president nga populli nëse ndryshon Kushtetutën dhe t’i japë disa instrumente, që ka peshën dhe zërin e vet, bazuar në atributet që jep Kushtetuta dhe që nuk bëhet qesharak dhe i rrezikshëm duke rrëshqitur nga binarët e kushtetutës sikur ndodhi. Është një diskutim i gjerë edhe me të gjithë faktorët e gjerë, edhe me publikun. Do të thotë ndryshime të tjera të Kushtetutës dhe mendoj se do të jetë një temë për këshillimin e ardhshëm kombëtar dhe një referendum popullor.
Grupi i PS-së ka ngarkuar prej disa kohës një ekip këtu brenda për të përgatitur edhe ligjin për presidentin e republikës, gjë që nuk e kemi shtyrë më tutje duke e quajtur të panevojshme, kur kemi të bëjmë me një president që nuk e njeh ligjin dhe kushtetutën. Tani, paralelisht me zgjedhjen e presidentit do të fusim edhe ligjin që rregullon edhe veprimtarinë. Edhe ligjin për medaljet e kemi gati. Nuk e kemi futur pa u larguar presidenti me tonelatat më të larta të teneqeve të shpërndara” tha ai.