Inspektorati i Lartë i Drejtësisë kërkon shkarkimin e gjyqtarit të Elbasanit Taulant Tafa, pasi akuzohet se shkeli ligjin duke i ulur 720 ditë të dënuarit me burgim të përjetshëm Arben Grori duke i hapur rrugën procesit për lirimin e tij nga qelia. Në vendim theksohet se gjyqtari ka parashtruar në mënyrë të dukshme fakte dhe rrethana të shtrembëruara vetëm për t’iu përshtatur plotësimit të kërkesave formale të të dënuarit.
“Mbi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor me masën “ shkarkim nga detyra” ndaj gjyqtarit Taulant Tafa. Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka filluar hetimin disiplinor me iniciativë të ankuesit, ndaj magjistratit T.T., me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, për shkelje disiplinore të kryera, në gjykimin e kërkesës me objekt ulje dënimi për të dënuarin A.G., i dënuar me burgim të përjetshëm.
Nga analiza ligjore e fakteve të konstatuara gjatë hetimit disiplinor ndaj gjyqtarit T.T., rezulton se: Janë konstatuar veprime/mosveprime të shprehura në dhënien e vendimit për uljen e dënimit në masën 720 ditë për të dënuarin A.G, në kundërshtim me nenin 63 të ligjit nr. 8328 datë 16.04.1998 “Për trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” i ndryshuar, duke i sjellë përfitim të padrejtë në uljen e dënimit dhe rritur fiktivisht kohën e vuajtjes së dënimit; moszbatim të kërkesave të nenit 383 të K.Pr.Penale, sa i takon parashtrimit të shtrembëruar të fakteve dhe rrethanave në mënyrë të dukshme në aktet e nxjerra, si dhe mungesë arsyetimi të vendimit, veprime këto të parashikuara si shkelje disiplinore në nenin 102, pika 1, shkronja “dh” si dhe nenin 102 pika 2, shkronjat “b” dhe “c” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Në dhënien e vendimit magjistrati nuk i është referuar fakteve në aktet e dosjes, por ka parashtruar në mënyrë të dukshme fakte dhe rrethana të shtrembëruara vetëm për t’iu përshtatur plotësimit të kërkesave formale të nenit 63 të ligjit nr. 8328/1998, i ndryshuar.
ILD ka analizuar vendimmarrjen 4 vjecare të magjistratit (2017-2021), me objekt ulje dënimi, dhe konstaton, se ndryshe ka vepruar gjyqtari në dhënien e 155 vendimeve të tjera, ku 7 kërkesa janë nga të dënuar me “Burgim të përjetshëm”, e ku janë respektuar kriteret formale ligjore.
Veprimet/mosveprimet e kryera në kundërshtim me ligjin nga ana e gjyqtarit kanë sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë përfitimin e padrejtë nga i dënuari A.G të uljes së dënimit në masën 720 ditë, si dhe cënimin e prestigjit të magjistratit në veçanti dhe cënimin e besimit të publikut te drejtësia.
Veprimet/mosveprimet e magjistratit T.T., përbëjnë shkelje shumë të rëndë disiplinore, që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës.
Për sa më sipër, kërkohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor pranimi i kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për caktimin e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”, për magjistratin T.T., me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, për shkeljet disiplinore të parashikuara nga neni 102, pika 1, shkronjat “dh” dhe neni 102 pika 2 germat “b” , “c” të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” thuhet në vendim. Tashmë vendimi është në orën e Këshillit të Lartë Gjyqësor nëse do ta shkarkojë gjyqtarin.