Partia Socialiste ka pranuar kërkesën e Fatmir Mediut dhe Mesila Dodës për të shtyrë me një javë procesin për zgjedhjen e Presidentit të ri. Balla përpos kalendarit, e mirëpriti idenë e opozitës që kjo e fundit të negociojë me një trupë të vetme dhe jo tre grupe.
“Si kërkesë paraprake morëm shtyrjen e kalendarit. Për të marrë pak më shumë kohë, duke riskeduluar këto afate me një javë. Kërkesa e tyre ishte që konferenca e kryetarëve për procesin të mos jetë 29 prilli, por 4 ose 6 maji në varësi të afateve që do të biem dakord duke mos harruar që brenda cdo 7 ditëshi të zhvillohen raundet.
E kam mirëpritur propozimin e dy grupeve të opozitës për t’u tërhequr nga propozimi i parë dhe nesër do i drejtohem me një shkresë kryetares së Kuvendit për të ndryshuar këto afate.
Procesi po ecën brenda një kalendari të shpejtë por edhe të hapur. Jam shumë optimist që niveli i dialogut në Kuvend në 2022 është aq i qëndrueshëm që t’i japë Shqipërisë një president konsensual.
Mediut dhe Dodës u bëra me dije që duam që Shqipërisë t’i japim një president të shqiptarëve dhe jo një të një apo një tjetër pale” tha ai.
74 deputetët e PS-së propozuan dje nga tre emra në një zarf për Presidentin e ri. Në total janë 67 emra të propozuar, por cilët janë ata? Taulant Balla nuk pranoi që t’i bënte publikë. “Emrat e propozuar janë administruar, nuk do të bëhen publikë.
Ne respektojmë një element shumë thelbësor, është e padrejtë të dilnim dhe lexonim një listë me shumë emra, ato janë një referencë” tha ai. Më tej, Balla tha se në adresën e Partisë Socialiste kanë arritur mbi 200 e-mail-e për kreun e ri të shtetit.