Gazetari me origjinë nga Rusia, por i lindur në Gjermani Sergej Sumlenny, i ka bërë thirrje Ukrainës ta njohë Kosovën. Në një postim në Twitter, duke taguar kryeministrin dhe presidentin ukrainas, Sumlenny ka thënë se të dyja shtetet kanë të përbashkët luftën kundër imperializmit rus.
“Të dyja ju meritoni të jeni pjesë e Evropës së lirë dhe të vërtetë. Ju të dyja i vlerësoni lirinë dhe pavarësinë. Njiheni Kosovën! Ata luftojnë të njëjtën betejë, sikur ju!” ka shkruar ai në Twitter duke iu drejtuar krerëve ukrainas.
Sumlenny ka qenë bashkëpunëtor i disa mediave gjermane. Ai ka lindur në Gjermani, ndërsa ka doktoraturë në shkenca politike në Akademinë e Shkencave në Rusi. Në rrjetet sociale ai ka fituar shumë ndjekës që kur ka nisur lufta në Ukrainë, me postimet e tij të vazhdueshme. Në Twitter numëron mbi 106 mijë ndjekës.
Kosova në vazhdimësi është solidarizuar me Ukrainën, që kur Rusia nisi pushtimin në fund të muajit shkurt. Qeveria ka ndarë produkte bazike në vlerë prej 100 mijë eurosh për Ukrainën, ndërsa është zotuar për t’i pritur 5000 refugjatë si dhe 20 gazetarë ukrainas.