Emërimi i Vehbi Bushatit në krye të Drejtorisë Vendore të Policisë në Lezhë është shoqëruar me ndryshime edhe të strukturës drejtuese të bluve. Pak javë pas marrjes së detyrës nga Bushati, janë lëvizur edhe zëvendësdrejtori i Rendit dhe Sigurisë Publike, Sadri Ramçaj, shefi i Komisariatit të Lezhës, Ermal Ajdini, shefi i Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, si dhe shefi i Stacionit Policor të Shëngjinit.
Sipas burimeve, zëvendësdrejtor për Rendin e Sigurinë Publike i Policisë vendore është emëruar Alfred Elezi, shef Komisariati në Lezhë Artur Hebaj, si dhe shef i Stacionit Policor të Shëngjinit është emëruar Ardit Çela. Ky i fundit më parë ka mbajtur detyrën e shefit të seksionit të Hetimit të krimit ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë, ndërsa të tjerët janë prurje të reja.
Me këto ndryshime synohet t’i jepen impulse të reja punës së Policisë në Qarkun e Lezhës, i cili vijon të jetë jo pak problematik për sa u përket ngjarjeve kriminale, por edhe veprave të tjera penale, të cilat përgjatë vitit 2021 kanë njohur rritje. Sipas burimeve që në javët e para të punës së tij në Lezhë, drejtori Vehbi Bushati ka mbledhur të gjithë efektivët e Policisë, që nga shefat deri te policët e thjeshtë, duke analizuar punën e secilit komisariat, si dhe u ka dhënë porosi, detyra e urdhra të prerë në luftën pa kompromis ndaj kultivimit të kanabisit, si dhe të trafikut apo shitjes së tij, pa asnjë tolerim apo përfshirje të Policisë në këtë drejtim.
Gjithashtu, objekt i porosive të tij kanë qenë edhe lufta ndaj krimit të organizuar, zbardhja e ngjarjeve të vjetra dhe goditja e armëmbajtjes pa leje. Nga momenti i ardhjes së Vehbi Bushatit në krye të Policisë së Lezhës e deri më sot, janë zhvilluar disa operacione, ku është goditur një tentativë për shtëpi bari në Kurbin, 2 raste shitje droge, 1 rast i armëmbajtjes pa leje dhe janë prangosur disa persona në kërkim. Prej muajit mars të këtij viti, Vehbi Bushati po drejton Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë, duke vendosur ne ketë post Oltion Bistrin, i cili mori drejtimin e Forcës Operacionale./Panorama.al