Deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi i ftuar në emisionin “ 5 Pyetjet nga Babaramo”, foli mbi krizat që ka kaluar Partia Socialiste gjatë këtyre viteve si dhe procesin mbi zgjedhjen e presidentit.
Ai theksoi se Partia Socialiste, ja ka dalë më së miri të menaxhojë vendin nga pandemia, tërmeti dhe lufta në Ukrainë.
“Ne treguam që Ps është forcë fituese, që garon dhe fiton. Padyshim tërmeti, pandemia dhe lufta që po ndodh në Ukrainë ka shkaktuar shumë vështirësi, por ne ja dolëm më së miri. Paketa e ekonomisë, përgatitja për sezonin turistik është në nivele të kënaqshme. Opozita ka humbur përballë forcës tone”, tha Klosi.
Pyetur nga Babaramo se si do të përfundojë zgjedhja e presidentit?
Klosi u përgjigj:“Ne i kërkojmë gjithëve të japin mendimin e tyre për emrin e presidentit. Këtë proces ne e bëjmë në mënyrën tonë. Opozita nuk merr pjesë në këtë proces, nuk ka rendësi procesi si e bëjmë ne. Emrat janë të fshehtë, sepse duhet ruajtur edhe personaliteti. Secili shkruajti 3 emra në fletën e tij. Është shume e rëndësishme që presidenti të marrë vota konsensuale. Njerëzit duhet ta besojnë institucionin. Ne i kemi votat, por duam qe presidenti të ketë konsensus. Kam dëgjuar një emër si Dash Shehi nga opozita, do ishte mirë të ishin emra që kanë një figurë dhe reputacion të rëndësishëm”
Në ndryshim nga procesi për zgjedhjen e presidentit të ri, ku mazhoranca i ka votat për ta zgjedhur i vetëm, për reformën territoriale dhe atë zgjedhore, PS-së i duhen votat e opozitës. Me cilën opozitë do të negociojë, Klosi e ka bërë të qartë.
“Ne do të negociojmë me grupet parlamentare, për presidentin, edhe për kodet, për të diskutuar dhe për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe të miratojmë ato që janë të mira për vendin , është detyrë Kushtetuese e opozitës” tha deputeti.
Ndërsa u ndal te platforma e re që ka nxjerrë qeveria, “Këshillimi Kombëtar”, Klosi kundërshtoi iden e një “Referendumi” pasi kërkon më shumë angazhim dhe mbi 50%, të votave nga populli, gjë që sipas tij është e pamundur.