Një familje shqiptare ka një pasuri mesatare në vlerën e 8.5 milionë lekëve.
Një vrojtim për pasurinë e familjeve shqiptare, nga specialistet e Bankës së Shqipërisë Elona Dushku dhe Ola Çami tenton të japë një ide mbi bilancet e familjeve shqiptare. Vrojtimi i pasurisë është bërë duke e ndarë atë në dy grupe kryesore: aktivet reale, ku përfshihen pasuritë e paluajtshme, bizneset, automjetet, sendet e çmuara, etj dhe aktivet financiare, ku përfshihen llogari rrjedhëse, depozita, bono thesari dhe obligacione, fonde pensioni, si dhe para të dhëna borxh.
Vlera mesatare e aktiveve për familje rezulton rreth 8.5 milionë lekë, por mediana (pika ku gjysma e vlerave të raportuara janë sipër dhe gjysma tjetër janë poshtë) është ndjeshëm më e ulët, rreth 5.7 milionë lekë. Diferencat e ndjeshme mes mesatares dhe medianës përgjithësisht janë një tregues i pabarazisë së shpërndarjes së treguesit të matur statistikor.
Në masën dërrmuese, pasuria e familjeve shqiptare përbëhet nga aktivet reale dhe kryesisht pasuritë e paluajtshme. Aktivet reale përbëjnë 93% të bilancit të familjeve, ndërsa specifikisht pasuritë e paluajtshme, kryesisht banesat. Pasuritë e patundshme në përgjithësi
dhe banesa kryesore e familjes në veçanti, përbëjnë 80% të totalit të portofolit të pasurisë totale të familjes. Vlera e medianës dhe e mesatares të banesës kryesore janë përkatësisht 5 milionë dhe 5.9 milionë lekë. Metoda e matjes së vlerës së banesës kryesore nuk bazohet mbi çmimin e tregut, por mbi pritshmërinë e familjeve mbi vlerën me të cilën ato do të mund ta shisnin atë në kohën kur janë pyetur.
Pavarësisht faktit se kjo metodë mund të mbartë gabime në matje si pasojë e elementit të perceptimit, studuesit argumentojnë se familjet marrin vendime bazuar mbi pritshmërinë e tyre për të ardhmen dhe mbi pasurinë e akumuluar, e për rrjedhojë është e domosdoshme që kjo të merret në konsideratë për të analizuar sjelljen e familjes.
93% e familjeve shqiptare janë pronarë, të plotë ose të pjesshëm, të banesës së tyre kryesore.
Aktivet e tjera të rëndësishme janë automjetet, të cilat zotërohen nga 40% e familjeve, ndjekur nga pasuritë e tjera të patundshme, të cilat zotërohen nga 36% e familjeve. Ndër pasuritë e tera të paluajtshme (veç banesës kryesore), 71% e familjeve zotërojnë një tokë, 12% e familjeve një fermë bujqësore, ndërsa 17% e tyre zotërojnë një formë tjetër pasurie të patundshme
Aktivet që zotërohen më pak nga familjet janë bizneset familjare, që zotërohet nga 13% e familjeve, si dhe sendet me vlerë, që zotërohen nga 12% e familjeve. Mediana e vlerës totale të pasurisë reale, bazuar në vetëdeklarimin e bërë nga familja është 5.9 milion lekë, ndërsa mesatarja është 6.8 milion lekë.
Për sa u përket aktiveve financiare, ato përbëjnë mesatarisht rreth 7% të pasurisë së familjeve shqiptare. Të dhënat mbi normën e zotërimit të aktiveve financiare tregojnë që 16% e familjeve kanë të paktën një aktiv financiar, duke dëshmuar për një përfshirje të ulët financiare të familjeve. Parë sipas kategorive të ndryshme, vërehet se 10% e familjeve kanë llogari rrjedhëse, 7% e familjeve kanë depozitë, 5% e familjeve u kanë dhënë para borxh të tjerëve, dhe një pjesë shumë e vogël e familjeve kanë fonde pensioni dhe letra me vlerë të qeverisë. Mesatarja e vlerës së aktiveve financiare për familje është 0.53 milionë lekë, por mediana është shumë më e ulët, në vlerën e rreth 0.3 milionë lekëve./ Monitor