Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikola Selakoviq, ka deklaruar sot se politika e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, vendos paqen dhe stabilitetin në rajon dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është udhëheqës i provokimeve dhe trazirave.
“Vuçiç ka nisur një sërë projektesh infrastrukturore, jo vetëm këtu, por në rajon. Ai po zgjidh problemet e hapura dhe të pazgjidhura, ndërsa Kurti me këmbëngulje po bën gjithçka që mundet për të penguar lirinë e lëvizjes, siç bëri me dërgimin e njësive speciale në veri të Kosovës”, tha Selakoviqq, i ftuar në TV Pink.
Selakoviqi ka vazhduar duke pretenduar se Vuçiç mbi të gjitha ndikon në qetësimin e tensioneve, ka nxitur krijimin e nismës “Ballkani i Hapur”, e nga ana tjetër, të gjitha veprimet e Kurtit sipas tij janë të drejtuara kundër serbëve.
Ai ke quajtur “Hitleri i vogël” kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Nga njëra anë keni Vuçiç me iniciativa serioze, ndërsa nga ana e tij keni thirrjen për krijimin e Shqipërisë së Madhe, keni atë Hitlerin e vogël ballkanik që merret me mbytjen e të drejtave të njeriut dhe lirive politike të serbëve në Kosovë”, tha Selakoviqi.
Ai gjithashtu thekson se “Hitleri i vogël ballkanik dhe shokët e tij nuk janë të interesuar për dialog”.
“Ata janë shumë selektivë ndaj procesit të dialogut, nëse diçka është në interesin e tyre, pranohet dhe nuk komentohet dhe nëse e shohin diçka si kërcënim, nuk e pranojnë në asnjë mënyrë”, shpjegon ai.
“Ai njeri i vuri vetes qëllim që të shkatërrojë me forcë, të dëbojë, t’i largojë serbët nga faqja e dheut në Kosovë dhe Metohi. Veriu është obsesioni i tij kryesor, sepse serbët atje kanë treguar forcën e shpirtit të tyre”, tha Selakoviqi.
Disa ditë më parë Albin Kurti, e quajti presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç “Putini i vogël”, duke iu referuar miqësisë mes Serbisë dhe Rusisë dhe tensioneve që shkakton Beogradi zyrtar në rajon, sidomos në Kosovë.
Pas kësaj Drejtori i zyrës së Kosovës në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, e ka quajtur Kurtin “Hitleri i vogël nga Ballkani”.