Mandi Arapit, është arrestuar ditën e sotme nga policia pasi i janë gjetur rreth 110 gram kokainë.
40-vjeçari, banues në lagjen Kastrioti në Fier është arrestuar në flagrancë mbrëmjen e djeshme nga forcat e policisë së Vlorës.
Njoftimi
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Panaja”.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Vlorë.
Sekuestrohen rreth 110 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, vihet në pranga poseduesi.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Vlorë, u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Panaja”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– M. A., 40 vjeç, banues në lagjen “Kastrioti”, Fier, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit M. A. dhe kontrollit në banesën e tij, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 110 gramë lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.