Prokurori i Gjykatës Ndërkombatëre Penale (ICC), Karim Khan, në fjalën e tij gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, ka falënderuar Shqipërinë për bashkëdrejtimin e këtij formati me temë “Të sigurojmë llogaridhënien për krimet e tmerrshme të kryera në Ukrainë”.
Si në çdo dalje të tij Khan ka përsëritur faktin se të gjithë ata që janë fajtorë për krime të rënda, nga ushtarët e thjeshtë deri te lidershipi më i lartë i Federatës Ruse, duhet të mbajnë përgjegjësi.
Prokurori i GJNP-së, Karim Khan theksoi se hetimi është një proces kompleks, i cili do të marrë parasysh të gjitha aspektet: nga shkaqet e një goditjeje të veçantë deri te pasojat e tij.
“Raportet dhe imazhet nga lufta në Ukrainë janë shqetësuese në shumë raste: civilë të vrarë mes shtëpive të shkatërruara, varre masive në periferi të fshatrave, pellgje gjaku në një platformë pas një sulmi me raketa”, tha kryeprokurori.
Ai shtoi se ende nuk është e qartë se në çfarë drejtimi po na çojnë të gjitha zhvillimet e fundit, drejt paqes apo luftës së mëtejshme.