Antonius Daans, këshilltari ndërkombëtar ka marr një mesazh mbrapsht në letrën e hapur drejtuar Edi Ramës, për shërbimin skandaloz që ai kishte marr në spitalin e Traumës.
Vet spitali ka hedhur poshtë akuzat e tij duke thënë se ai është mjekuar me standardet më të larta evropiane dhe se dëmtimet e tij ishin të vogla dhe plagë sipërfaqësore.
Po ashtu mjekët që e kanë kuruar janë shprehur se Daans i ka falënderuar kur ka dal nga spitali, dhe se pas konsultës me neurologun ai nuk kishte asnjë dëmtim në kokë.
Gjithashtu në përgjigjen e spitalit është thënë se në mëngjesin e 17 prillit, kur pacienti është paraqitur për mjekim ka njoftuar mjekët për udhëtimin e tij jashtë shtetit, dhe mjeku e ka lejuar pasi gjendja e tij ka qenë e mirë.
Sqarim i Spitalit Universitar të Traumës për rastin e qytetarit Z. Antonius Daans:
Referuar publikimit në disa portale për rastin e një qytetari me shtetësi hollandeze, paraqitur në Spitalin Universitar të Traumës në datën 16 prill 2022, sqarojmë si më poshtë: Daans ka ardhur në urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës në orën 23:30 të datës 16.04.2022, i shoqëruar dhe me përkthyes. Sipas vlerësimit të parë, gjendja e përgjithshme ishte e mirë. Pacienti referonte rrëzim në trotuar dhe ankohej për dhimbje të krahut dhe lëndim në fytyrë. Sipas vlerësimit të mjekëve, pacienti paraqiste plagë sipërfaqësore rreth 4 cm në regionin frontal, gërvishtje të vogël në hundë dhe dhimbje gjatë lëvizjes së krahut të djathtë. Pasi i janë bërë ekzaminimet radiografike të kokës, hundës dhe krahut, ka rezultuar vetëm dëmtim i kokës së radiusit (brrylit) që është trajtuar në mënyrë konservative, me imobilizim me gips, mbajtja e të cilit është rekomanduar për 3 javë, e më pas fizioterapi. Janë përpunuar plagët nga Kirurgu i Përgjithshëm, Dr. Dritan Çobani, duke përdorur instrumenta dhe set mjekimi emergjence të standardizuar njëpërdorimësh, me barkode të ruajtura sipas rregullit, sete të cilat përdoren në të gjitha spitalet, sipas standardeve më të mira.Pacientit në fjalë i është aplikuar gjithashtu serumi antitetanik. Gjithashtu, është realizuar konsulta nga neurokirurgu Dr. Asllan Sela, nga e cila ka rezultuar pa probleme neurologjike apo neurokirurgjikale. Pacienti është larguar bashkë me shoqëruesin në orët e para të datës 17.04.2022. Mjekët dhe personeli referojnë se pacienti është larguar falenderues për shërbimin e marrë. Daans është rikthyer në mëngjesin e datës 17.04.2022 në SUT, në gjendje të përgjithshme shumë të mirë, pa ankesa, duke referuar se i duhej të udhëtonte me avion. Dr. Asllan Sela, neurokirurg, e ka riekzaminuar dhe e ka pajisur me vërtetim me të dhënat mjekësore, diagnozën dhe që mund të udhëtonte pa probleme, vërtetim i cili është printuar dhe i është dorëzuar kërkuesit.
Stafi mjekësor i Spitalit Universitar të Traumës ka ndjekur me përpikmëri protokollet mjekësore për shtetasin hollandez dhe siguron të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të huaj, që shërbimi ndaj tyre nuk do të mungojë në asnjë moment dhe se ekipi i mjekëve dhe infermierëve do të vijojnë të jenë në krye të shërbimit 24 orë në 7 ditë të javës për të bërë më të mirën për shëndetin e qytetarëve.