Me zërin e dridhur dhe e dëshpëruar, drejtuesja e prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj hodhi poshtë pretendimet dhe konstatimet e anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që vendosi shkarkimin e saj duke e nxjerrë jashtë sistemit të drejtësisë.
Ajo tha se ndryshe nga sa pretendon vettingu, nuk ka asnjë pasuri në 17 vite punë, as brenda por edhe as jashtë vendit. Pas sulmit për vëzhguesit e OMN-së, konkretisht Theo Jacobs, Imeraj aludoi se njerëz me influencë donin shkarkimin e saj.
“Pa marrë parasysh asnjë pretendim të paraqitur nga ana ime. Faktet dhe provat duhet të jenë në dhënien e një vendimi, nuk e lidh me situatën personale. Shpresoj ta kenë të arsyetuar kush e dëshiron shkarkimin tim nga detyra.
Jeni të ftuar që të merrni cdo fletë të dosjes hetimore, administrative, nga të cilat vërtetohet që Elizabeta Imeraj ka zero pronësi. Puna ime prej 17 vitesh, tregon se në cfarë mënyrë është kryer me cështjet e prezantuara dhe përfaqësuara.
Ajo që i kam bërë me dije kolegjit është vendosur në dispozicion e akteve, më shumë se 160 të pandehur janë dënuar, vetëm 3 prej tyre kanë marrë pafajësi. Rezultati në raport me atë që vendosi është disproporcional.
Reforma në drejtësi synon pavarësi, pavarësisht sesa është presioni, apo ndikimi i raporteve, politike, ekonomike, kriminale apo vëzhguesve ndërkombëtare për shkak të letrave anonime, që mund të mos jenë ndjerë rehat” tha ajo.