Namazi i Fitër Bajramit i falur në sheshin Skënderbej, tashmë është kthyer në një traditë të përvitshme për të gjithë besimtarët myslimanë.
Besimtarët e kryen faljen e tyre në orën 6:20 të mëngjesit duke mbyllur zyrtarisht muajin e agjërimit dhe sakrificës.
Sipas besimit islam, kjo ditë, është ajo në të cilën Allahu shpërblen besimtarët për gjithë sakrificën e tyre gjatë muajit të Ramazanit. Ky shpërblim, vjen në formën e paqes shpirtërore dhe faljes së mëkateve.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka uruar të gjithë besimtarët.
“Të nderuar besimtarë dhe ju teleshikues, nga kudo që po na ndiqni – Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju! Sot, posa zbardhi agimi i mëngjesit, në të gjithë vendin po mbretëron gëzimi i festës së namazit të Fitër Bajramit”, tha ai.
Spahiu shtoi se kushdo që ka agjëruar ka fituar dimensione të reja shpirtërore e morale.
“Agjërimi është një obligim, një mundësi dhe një favor që na ka bërë Zoti për të pastruar të vjetrën dhe për t’i hapur rrugë të resë”.