Fitër Bajrami është festa, e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fitër Bajram vjen nga ajo se myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfërit, për ta festuar së bashku këtë festë.
Namazi i Bajramit: Ky është një namaz, të cilin Islami i nxit myslimanët të dalin së bashku me gratë e fëmijët për të kryer faljen e tij. Koha e këtij namazi fillon kur dielli të ngrihet sa një shtizë pas lindjes së tij e deri para se të kalojë zenitin.
Zekati i fitrit (Lëmosha e detyruar e ndërprerjes nga agjërimi i Ramazanit): Atij që zotëron ushqim mbi nevojat e ditë-natës së festës së Bajramit, Allahu ia ka bërë detyrim të nxjerrë një sa’a (safë që nxë rreth 3 kg) nga ushqimi bazë i banorëve vendas, si: orizi, gruri ose hurma, të cilat u jepen të varfërve dhe skamnorëve muslimanë, në mënyrë që ditën e Bajramit të mos ketë nevojtarë.
Koha e këtij zekati: Koha për dhënien e këtij zekati fillon që nga perëndimi i ditës së fundit të Ramazanit e deri në namazin e Bajramit. Lejohet që të jepet edhe një apo dy net para Bajramit.about:blank
Sasia e zekatit të fitrit është një sa’a nga ushqimi bazë i banorëve vendas, si: gruri, orizi, hurmat arabe etj. Sa’a është një njësi peshe e cila e kthyer në masat e reja është e barabartë me rreth 3 kg.
Ky zekat është detyrim për vetë personin (kryefamiljarin) dhe për të gjithë ata që i ka në përgjegjësi për t’i mbajtur, siç janë bashkëshortja dhe fëmijët. Është mirë që zekati i fitrit të jepet edhe për foshnjën që është në barkun e nënës. Pra, për çdo person (të familjes) nxirret rreth 3 kg ushqim (bazë) vendi.about:blank
Kush e jep këtë ushqim para namazit të Bajramit do t’i pranohet, por kush e jep atë pas namazit, do t’i quhet si lëmoshë e zakonshme.
Këtë ditë ligjërohet të përhapet gëzimi dhe hareja në familje, ndër të vegjël e të mëdhenj, burra e gra, përmes të gjitha mënyrave të lejuara. Vishen rrobat më të bukura e më të hijshme dhe gjatë ditës së Bajramit hahet ushqim në shenjë adhurimi për Allahun. Për këtë arsye agjërimi i Bajramit është haram (i ndaluar).
Përgatitja për festën e Bajramit
Janë disa rite që bëhen në pritje të festës së Bajramit, si: larja e trupit, të stolisurit me veshje të bukura, ngrënia e hurmave para daljes për të falur namazin e Bajramit etj.
Gabimet që bëhen në këtë festë: mospjesëmarrja e grave në faljen e namazit të Bajramit, caktimi i vizitimit të varrezave ditën e Bajramit etj.
Ushqimet e Fitër Bajramit
Dita e Fitër Bajramit është një ditë feste, ku tavolinat mbushen plot e ku ka disa ushqime tradicionalë që shoqërojnë këtë festë ndër vite. Kështu, ndër shumë besimtarë myslimanë ka mbetur si traditë që në ditën e bajramit për mëngjes të kenë oriz dhe pite.
Ëmbëlsira është pjesë e rëndësishme e kësaj dite dhe ajo nuk duhet të mungojë në tavolinën e asnjë besimtari mysliman.
Për shumë besimtarë, ëmbëlsira e parë pas mëngjesit në ditën e Fitër Bajramit është bakllavaja, por edhe revania është një ndër ëmbëlsirat që përgatiten për këtë festë. Tatlia është po ashtu një ëmbëlsirë tjetër, që është mirë të provohet. Kadaifi është po ashtu një ndër gatimet që është bërë pjesë e kësaj dite etj.