Gjatë muajit maj, një delegacion i Komisionit të Venecias do të qëndrojë në Kosovë ku do të takohet me përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë për çështjen e Vettingut. Nga kjo ministri dhe shoqëria civile insistojnë që ky proces duhet të bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese, pasi sipas tyre, një Vetting pa këtë do të ishte i kotë.
Raportuesit e Komisionit të Venecias do të vizitojnë përsëri Kosovën më 19 dhe 20 maj. Është pikërisht reforma e çështjes së Vettingut që do t’i sjellë ata në Kosovë, ku do të takohen me përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe aktorët e përfshirë në këtë proces. Nga Ministria e Drejtësisë thonë se po presin rekomandimet e Komisionit të Venecias, derisa kanë qëndrim të qartë sa i përket ndryshimeve kushtetuese.
“Kemi koncept dokumentin final, pastaj një draft fillestar i amandamenteve kushtetuese është bërë gjithashtu i projektligjit dhe jemi në pritje të këtij takimi dhe pastaj varësisht edhe nga rekomandimet e Komisionit të Venecias ne do të procedojmë tutje. Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës ka qëndrimin e qartë sa i përket zhvillimit të procesit të Vettingut dhe opsioni 5 është votuar në Qeveri i cili na obligon tutje të vazhdojmë me këtë proces”, tha Genc Nimoni, shef i kabinetit të ministres së Drejtësisë.
Organizatat nga shoqëria civile që kanë qenë pjesë e grupeve punuese për Vetting insistojnë në një proces me ndryshime kushtetuese, që sipas tyre, do të ishte një lajm i mirë për Kosovën.
“Vetting në Kosovë është i paalternativë, sa më shpejt që të ndodh ky proces, sa më shpejt që të ndodh dhe të kemi një vullnet politik për ta bërë këtë proces, sa më shpejt që partia në pushtet të jetë në gjendje që ti bind partnerët ndërkombëtarë dhe partitë opozitare për ta procesuar me ndryshimet kushtetuese, e me miratimin e Ligjit për Vetting, për Kosovën do të ishte lajmi më I mirë i mundshëm në sektorin e sundimit të ligjit”, Ehat Miftaraj, Instituti i Kosovës për Drejtësi.
“Pa marrë parasysh interpretimi i komisionit të Venecias ne duhet me insistuar që procesi i Vettingut me ndodh edhe me ndodh me ndryshime kushtetuese, përndryshe nëse ne hyjmë në një proces të Vettingut pa ndryshime kushtetuese, nuk është që kemi me bo Vetting, pra sepse Kushtetuta jonë parandalon ose nuk jep mundësi tjera për me shkaku prokurorë edhe gjyqtarë, përjashtimit vetëm nëse kryen vepra penale që i parasheh Kushtetuta, e nëse hyjmë në një proces të Vettingut pa ndryshime kushtetuese edhe vijmë në përfundim që një gjyqtar apo prokuror kanë bërë shkelje të ndryshme dhe nuk meritojnë me qenë prokuror a gjyqtar, atëherë qysh me ua marr mandatin atyre dhe kështu krijojmë problem tepër të mëdha”, Arton Demhasaj nga organizata “ÇOHU”.
Koncept dokumenti për Vettingun do të vlerësojë integritetin e subjekteve të Vettingut, në këtë rast të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pastaj kontrollin apo verifikimin e pasurisë si dhe performancën. Këto baza do të mundësojnë që figura e gjyqtarit ose prokurorit të jetë një figurë e cila gëzon integritet dhe profesionalizëm për të vazhduar me çështjet gjyqësore.
Ministria e Drejtësisë ka vendosur që Vettingu të bëhet me ndryshime kushtetuese për çka kërkohen 2/3 në Kuvend, përfshirë edhe ato nga komunitetet. Deri më tani, opozita ka shprehur kundërshtime lidhur me propozimet e Qeverisë për këtë proces./RTK