Pas publikimit të Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit, i cili vlerëson gjendjen e gazetarisë në 180 vende dhe territore, dhe renditi Shqipërinë në vendin 180-të, ka reaguar ambasadori britanik në Shqipëri, Alastair King Smith.
Ai shprehu keqardhjen për lirinë e mediave shqiptare.
“Më erdhi keq kur lexova se Shqipëria zbriti 20 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit Botëror. Gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë në mënyrë të lirë dhe të saktë për të kërkuar llogari nga ata që janë në pushtet, të ekspozojnë korrupsionin dhe të informojnë qytetarët.”, u shpreh ai.
Sipas Indeksit të 20-të, të Lirisë së Shtypit Botëror i publikuar nga Reporterët pa Kufij, Shqipëria ka pësuar rënien më të madhe për lirinë e medias që prej vitit 2013 .
Në vitin 2021 ishte në vendin e 83 nga 180 ndërsa këtë vit është i 103. Ndërkohe që në vitin 2013 ishte në vendin e 82.
Sipas raportit në nivel ndërkombëtar, demokracitë po dobësohen nga asimetria midis shoqërive të hapura dhe regjimeve despotike që kontrollojnë mediat dhe platformat e tyre online, ndërkohë që bëjnë luftëra propagandistike kundër demokracive. Polarizimi në këto dy nivele po nxit rritjen e tensionit.