BE-ja duhet të marrë parasysh ndryshimin rrënjësor të traktatit nëse është serioze për anëtarësimin e Ukrainës dhe parandalimin e saj nga nënshtrimi rus, ka thënë ministri i Jashtëm i Austrisë. Ai gjithashtu, duke folur për Ballkanin Perëndimor, e konsideroi rajonin si portë hyrëse të BE-së dhe jo dera e pasme e saj.
Alexander Schallenberg i tha “Financial Times” , se lufta e agresionit të Rusisë ishte një “moment gjeostrategjik” për Evropën që do të kërkonte një përgjigje më thelbësore sesa sanksionet apo ndihma ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën.
“Le t’i bashkojmë veprimet tona dhe t’i vendosim paratë tona atje ku është goja”, tha Schallenberg, duke paralajmëruar se BE-ja nuk mund të përballojë më të marrë gjysmë masa ndaj shteteve fqinje.
“Nuk ka vakum. Është ose modeli ynë ose i dikujt tjetër”, tha ai, duke iu referuar të ardhmes së vendeve në kufi me BE-në, si Ukraina dhe Moldavia, tani të kërcënuara nga revanshizmi rus.
“Ne duhet t’i ankorojmë të gjitha shtetet në Evropë dhe në Perëndim tha ai”, duke bërë thirrje për një ndryshim në procesin ekzistues.
Duke folur në veçanti për Ballkanin, ai tha se “kjo nuk është dera e pasme e Evropës për të cilin po flasim, është porta hyrëse. Këto janë shtete të rrethuara nga vende të tjera anëtare të BE-së.”
Ndërsa Austria e ka dënuar pushtimin e Rusisë dhe ka mbështetur sanksionet e BE-së, si një shtet jo anëtar i NATO-s me lidhje të thella sociale dhe ekonomike me Rusinë, ajo është përpjekur gjithashtu të paraqitet si ndërmjetëse me Moskën.
Në prill, Karl Nehammer, kancelari i Austrisë, u bë lideri i parë perëndimor që u takua personalisht me Vladimir Putin, presidentin e Rusisë, që nga fillimi i konfliktit, në një vizitë në Moskë, e cila u dënua nga ekspertë të politikës së jashtme agresive në të gjithë Evropën.