Kryeministri Edi Rama nuk i njeh raportet ndërkombëtare. Pas raportit të DASH-sit, pak ditë më parë që e quajti “copy-paste të një viti më parë”, sot ka injoruar edhe atë për lirinë e shtypit, që e zbriste Shqipërinë me 20 vende nga viti i kaluar duke e kthyer një dekadë pas. Për kreun e qeverisë asnjë nga konstatimet e raportit nuk qëndron. Madje ai hidhet në kundërsulm.
E di që edhe ky opinion i imi do klasifikohet si sulm, presion, agresion kundër mediave, por e kam të pamundur të hesht kur shoh se si tallen disa me lirinë e fjalës dhe se si liria e shtypit bëhet liri e shtypjes, duke shkelur mbi faktet, njerëzit dhe vendin,në emër të saj!
— Edi Rama (@ediramaal) May 3, 2022
“Në Shqipëri s’ka as media të intimiduar, as gazetarë të penguar në lirinë e tyre. Madje në Shqipëri ka gjithnjë e më shumë viktima të shpifjeve,gënjeshtrave e lajmeve të rreme! Flitet për gjyqe me gazetarë, kur në fakt s’ka! Flitet për ligjin antishpifje kur në fakt s’ekziston!
Gazetarët viktima të dhunës policore në Shqipëri?Çfarë gënjeshtre!Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me sulme politike?Çfarë fantazie! Vetërregullim etik në median shqiptare?Çfarë talljeje!Vetëm titulli mungon:Ankesa për mungesën e lirisë ngaqë s’dimë ç’të bëjmë me lirinë!
E di që edhe ky opinion i imi do klasifikohet si sulm, presion, agresion kundër mediave, por e kam të pamundur të hesht kur shoh se si tallen disa me lirinë e fjalës dhe se si liria e shtypit bëhet liri e shtypjes, duke shkelur mbi faktet, njerëzit dhe vendin,në emër të saj” shkruan Rama.
Presidenti Ilir Meta e ka cilësuar të frikshëm raportin e fundit për lirinë e shtypit në Shqipëri që e kthen vendin tonë një dekadë pas. Në vitin 2021 Shqipëria ishte në vendin e 83 nga 180 ndërsa këtë vit është i 103 duke humbur 20 vende, ndërsa në 2013 ishte në vendin e 82. Për gjendjen e krijuar, kreu i shtetit e drejton gishtin nga qeveria Rama, që sipas tij ka vendosur në shënjestër dhe diskrediton gazetarët kritikë.