Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ku Shqipëria mori një lajm të keq pasi kishte rënë me 20 vende këtë vit, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka zgjedhur që të takojë dy gazetarë, Edmond Hoxhaj nga BIRN Albania dhe Isa Myzyraj nga Ora News, pronari i të cilit, Ylli Ndroqi pak javë më parë u sanksionua nga SHBA.
Shefja e diplomacisë amerikane në Tiranë, thekson se do të jetë gjithmonë në mbështetje të gazetarëve që luftojnë për të vërtetën dhe kundër korrupsionit.
“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Shtetet e Bashkuara ritheksojnë mbështetjen e tyre të palëkundur për gazetarët e pavarur të cilët përpiqen të zbulojnë dhe të përcjellin të vërtetën, të luajnë rolin e tyre mbikëqyrës në një mënyrë të përgjegjshme dhe të punojnë në një mjedis pa përndjekje, frikësime dhe vetëcensurë.
Javën e kaluar, Ambasadorja Yuri Kim u takua me gazetarët Edmond Hoxhaj (BIRN Albania) dhe Isa Myzyraj (Ora News) për të shprehur mbështetjen e palëkundur për gazetarët e pavarur dhe për të dënuar sulmet direkte dhe indirekte ndaj gazetarëve të cilët kërkojnë të raportojnë në mënyrë të pavarur dhe të saktë.
Që lufta kundër korrupsionit të ketë sukses dhe pandëshkueshmëria të përfundojë, roli që ka një media e fortë dhe e pavarur është parësor” shkruan Kim. Në vitin 2021 Shqipëria ishte në vendin e 83 nga 180 ndërsa këtë vit është i 103. Ndërkohë që në vitin 2013 ishte në vendin e 82.