Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ka postuar në Instagram një foto nga një takim me ish-ambasadorët amerikanë në Shqipëri ndër vite; Bill Ryerson, Marisa Lino, Jim Jeffrey, Marcie Ries dhe Alex Arvizu. Në takm mungon John Withers.
Yuri Kim shprehet se kanë folur mbi eksperiencat e ndryshme në 31 vite që kanë pasur në Shqipëri që prej rënies së komunizmit.
“Një takim i mrekullueshëm në Uashington me ish-ambasadorët e Shqipërisë, Bill Ryerson, Marisa Lino, Jim Jeffrey, Marcie Ries, Alex Arvizu.
Të gjithë kemi pasur eksperienca të ndryshme në 31 vite qëkur shqiptarët u liruan nga zinxhirët e diktaturës komuniste, por ne kemi një gjë të përbashkët: besimin se lidhja mes shqiptarëve dhe amerikanëve është në të vërtetë speciale, admirimin për arritjet e mëdha të shqiptarëve pavarësisht nga rrethanat, dhe optimizmin e qëndrueshëm për të ardhmen” shkruan Kim.
Referuar aktualitetit politik në Shqipëri, nëse do ta interpretonim, mbyllja e mesazhit me fjalët “optimizmin e qëndrueshëm për të ardhmen” duket se është një “kunj” për Sali Berishën, që ambasadorja e ka cilësuar si të shkuarën duke u kërkuar demokratëve që të zgjedhin të ardhmen.