Bashkimi Evropian pritet të bëjë me dije sanksionet e reja të marra kundër Moskës, pasi forcat ruse goditën objektivat në Ukrainën lindore, duke lëshuar raketa në një fabrikë çeliku që është pika e fundit e rezistencës në qytetin port të Mariupolit.
Dhjetëra të evakuuar që arritën të largoheshin nga qyteti nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara dhe Kryqit të Kuq arritën në Zaporizhzhia, e cila është e kontrolluar nga Ukraina.
Rusia po synon Mariupolin teksa kërkon të shkëpus Ukrainën nga Deti i Zi dhe të lidhë territorin e kontrolluar nga Rusia në jug dhe lindje.
Pjesë të rajoneve lindore të Donetsk-ut dhe Luhansk-ut kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia përpara se presidenti,Vladimir Putin, të niste pushtimin e 24 shkurtit.
Më shumë se 200 civilë mbeten në uzinë, sipas kryetarit të bashkisë së Mariupol, Vadym Boichenko, me 100 mijë civilë ende në qytet.
E goditur nga sanksionet perëndimore, Rusia tani përballet me masa të reja nga BE-ja, që do të synojnë bankat dhe industrinë e saj të naftës – një hap i madh për vendet evropiane që mbështeten shumë në energjinë ruse.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet t’i njoftojë sanksionet e reja të propozuara të mërkurën – duke përfshirë ndalimin e importeve të naftës ruse deri në fund të këtij viti.