Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka deklaruar se BE-ja nuk duhet të “varet nga regjimet autokratike për të siguruar furnizimin tonë me energji”, referuar këtu, Azerbajxhanit si një alternativë ndaj energjisë ruse.
Pasi PE-ja bëri thirrje për një embargo të plotë ndaj importeve ruse të energjisë, Lovin Malta pyeti Metsolën në një intervistë nëse ajo e sheh Azerbajxhanin e pasur me energji si një burim potencial alternativ gazi.
Megjithatë, ajo shprehu skepticizëm për këtë, duke argumentuar se BE-ja në vend të kësaj duhet të shikojë vendet si Spanja dhe Portugalia, si dhe vendet e Afrikës së Veriut.
“Spanja dhe Portugalia janë ishuj energjetik, që do të thotë se kanë furnizimin e tyre, por nuk ua japin të tjerëve. Ne duhet të shohim nëse ka një mundësi për të krijuar lidhje”, tha ajo.
Kompania shtetërore e naftës Socar e Azerbajxhanit është pjesë e konsorciumit “Electrogas”, që drejton termocentralin Delimara dhe është përgjegjëse për furnizimin e termocentralit me LNG.
Partia Nacionaliste, pjesë e së cilës është Metsola, ka bërë thirrje që marrëveshja të anulohet.
Që kur Rusia pushtoi Ukrainën shkurtin e kaluar, duke shkaktuar një valë sanksionesh nga Perëndimi, Azerbajxhani është shfaqur si një burim potencial alternativ gazi.
Gjatë një vizite të fundit në vend, Komisioneri i BE-së për Energjinë Kadri Simson tha se shpreson që Gazsjellësi Trans Adriatik të rrisë kapacitetin e tij eksportues nga rreth 8 miliardë metra kub në vit në 10 bcm.