Edi Paloka u rikthye në krye të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike këtë të premte teksa mori 132 vota kundër 79 të rivales Eleina Qirici.
Pas shpalljes së rezultatit, Paloka u shpreh se më të rëndësishme se zgjedhja e tij ishin vendimet e marrë në këtë këshill, si rezoluta për presidentin e ri apo protesta e ditës së shtunë. Paloka bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e nesërme në të gjitha komisariatet e vendit.
“Dua të uroj të gjithë anëtarët e këshillit për zgjedhjet e tyre. I falenderoj për mbështetjen që më dhanë. Vendimet ishin më të rëndësishme, si rezoluta që përcakton qëndrimin e PD për procesin e zgjedhjes së presidentit, ku përcaktohet edhe qëndrimi që duhet të mbajë grupi parlamentar.
Një tjetër vendim i rëndësishëm është që nesër do të ketë një protestë të heshtur përpara të gjitha komisariateve në rrethe për aktin e rëndë që ka ndodhur, ku një person u gjet i pajetë në Komisariatin e Kavajës. Nesër në orën 8 përpara të gjitha komisariateve, në Tiranë përpara kryeministrisë. Do të ndizen qirinj përpara këtyre institucioneve”, tha Paloka.