Mbrëmjen e djeshme u zgjodh kryetari i këshillit kombëtar të PD-së, Edi Paloka, por në media qarkulloi një video që tregonte momentin kur anëtarët e komisionit publikuan procesverbalin, ku duket se ka pasur paqartësi për anëtarët që kanë qenë prezentë.
“Fletë votimi gjithsej 211”, thotë një anëtar.
“Jo jo – thotë anëtari tjetër- kanë qenë më shumë, futja 300”.
“Po ç’rëndësi ka, futja një numër aty, e rrumbullakosim pastaj”, dëgjohen të thonë ata.
Por sot, Albana Vokshi dha një tjetër version. Ajo tha se diskutimi ishte për fletët e votimit që ishin prodhuar dhe jo për anëtarët që ishin të pranishëm dhe që votuan.
“Gazetarët kanë qenë prezent që para fillimit të punimeve të këshillit kombëtar të PD-së. Cdo anëtar është regjistruar, edhe manualisht dhe në formë dixhitale. Në fillim të mbledhjes kemi pasur numrin e saktë 203 anëtarë.
Pasi u mbyllën punimet, keni qenë vetë prezent, keni filmuar, kush ka votuar. Mund t’u rikthehemi edhe videove, në Youtube nga fillimi në fund. Të shikojmë cdo anëtar që ka votuar. Po ashtu edhe procesi i hapjes së kutisë.
Ka qenë edhe mikrofoni hapur. Ju e kishit rezultatin madje edhe përpara se të shpallej zyrtarisht. Ka qenë qëllimshëm dhe dashakeqësi një video e shkëputur, e dalë jashtë kontekstit.
Gjej rastin ta shpjegoj jo se është e rëndësishme, por në respekt të publikut. Ajo ishte për numrin total të fletëve të votimit të prodhuara. Kjo nuk e cenon dhe nuk e bën dot pis këtë proces transparent. Askush nuk e cenon integritetin e këtij procesi” tha Vokshi.